Krasniqi: Për familjarët e të pagjeturve lufta nuk ka mbaruar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se 27 Prilli mban të hapur plagët e qindra familjeve kosovare të cilat ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.
Ai më rastin e Ditës së personave të pagjetur, bashkë me deputetë e zyrtarë të PDK-së, ka bërë homazhe te Memoriali i Personave të Pagjetur në Prishtinë.
“1617 qytetarë të Kosovës, të të gjitha moshave e gjinive, shumica absolute civilë të pafajshëm, figurojnë akoma të zhdukur. Rrjedhimisht, lufta për këto familje nuk ka mbaruar – ajo sfidon çdo ditë jetën e tyre. Të gjithë, me mendje e zemër jetojnë për lajmin që presin t'u vijë nga larg. Fatkeqësisht, këto thirrje dëshpëruese të nënave e baballarëve kosovarë vazhdojnë të hasin në veshin e shurdhër të shtetit serb. Asnjë informatë, asnjë përpjekje, asnjë pendim për krimet që kanë kryer në Kosovë, përkundrazi, mohues që edhe sot po vazhdojnë të fshehin krimet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij drejtësia për familjarët e të pagjeturve është vonuar.
“Drejtësia është vonuar me familjet e të pagjeturve, e, uroj që kjo pritje të marrë fund shumë shpejtë. Zbardhjen e fatit të tyre dhe dënimin e përgjegjësve Kosova do ta kërkojë gjithmonë. Pa zbardhjen e fatit të qytetarit të fundit që figuron i zhdukur, Kosova nuk do të gjejë asnjëherë qetësinë e saj!”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi të enjten ka bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Mejës.
Edhe atje ai ka folur për të pagjeturit. “Si çdo 27 prill, sa herë që vijmë këtu në Mejë, në lëndinën e dhembjes por edhe në lëndinën e krenarisë, nuk ka se si të mos kujtojmë atë rrugëtim të rëndë dhe të vështirë të popullit tonë që dha dhe sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot. Si në çdo ditë tjetër, por ne mënyre të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm. Sa prej familjeve kosovare, liria realisht nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbardhur fati i të zhdukurit të fundit, nuk mund të ketë drejtësi", ka thënë Krasniqi.
Haradinaj: Masakra në Mejë është tragjedia më e madhe
Homazhe në kompleksin Memorial në Meje të Gjakovës, ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Në përvjetorin e masakrës ku u vranë 377 persona të pafajshëm, Haradinaj ka thënë se të ri e të moshuar u flijuan vetën për të qenë të lirë.
"Sot me përulësi nderojmë memorialin për Mejë, ku pushojnë trupat, shpirtrat e shqiptarëve të pafajshëm. Gjithë këta janë vrarë, e vërtetë pa arsyeje dhe pa asnjë të drejtë, civilë janë ndarë nga familjet e tyre. Një pjesë e trupave të tyre janë marrë në Serbi edhe sot ka ende të pagjetur. Kjo është tragjedia më e madhe; masakra më e madhe në Kosovë. Janë 377 të vrarë, të gjitha moshave, po ashtu të dy gjinive dhe dy besimeve", ka theksuar Haradinaj.