Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se me organizmin e zgjedhjeve në veri, institucionet e Kosovës kanë treguar se grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, nuk mund t’i diktojnë proceset kushtetuese në Kosovë.
Osmani ka vlerësuar se Serbia me ndërhyrje të paligjshme kërcënoi e shnatazhoi qytetarët e veriut që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Këto komente, sipas njoftimit të Presidencës, Osmani i ka bërë pas takimit që të hënën e ka zhvilluar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
“Institucionet e Kosovës u mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës”, citohet Osmani në njoftim.
Ajo ka falëndëruar qytetarët që kanë marr pjesë në zgjedhje. “Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serbë të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë”, citohet Osmani.
Sipas saj ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila Osmani ka thënë se, jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore. Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues”, citohet Osmani.
Si e tillë, kjo qasje e Serbisë, sipas Osmanit, duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë ajo ka thënë se njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë. Ky akt sipas presidentes dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare.
Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’u qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që siç ka thënë ajo, të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale.
“Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit. Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë”, citohet Osmani.
Ajo ka përgëzuar KQZ-në për përgatitjet e bëra, të cilat sipas saj, mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Gjithashtu ka falënderuar të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat sipas saj, siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor.