Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj e Artan Abrashi, kanë reaguar pas arrestimit të drejtorit të Koporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Deputeti Artan Abrashi ka pyetur se a po hakmerret ai që nuk po arrin të bëhet kryeprokuror.
“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, ka shkruar ai.
Ndërkaq deputeti Rexhaj ka pyetur se kush është Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror, duke iu referuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit, Albin Kurti dhe kyeparlamentarit Glauk Konjufca.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 5 prill i është drejtuar me kërkesë Zyrës së Presidentes që ta dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Megjithatë, Zyra e Presidentes së Kosovës ka konsideruar se KPK-ja po manipulon me të vërtetën e se kjo kërkesë e këshillit nuk i kontribuon misionit të tij.
Këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se kompetencat e KPK-së përfundojnë me propozimin e emrit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.
Të mërkurën është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Ndërkaq deputeti i VV-së Halil Thaçi, ka thënë se i ka ardhur mirë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut pasi, sipas tij, ishte frikësuar se do të dëgjonte lajmin mbi atentatin e tij.
Ai ka thënë se policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase ka pretenduar ai, atentati mund të ndodhë edhe në mbajtje.