Arbëri

Drojë për destabilizim të veriut

Në zgjedhjet e 23 prillit në veri, kutitë e votimit do të vendosen kryesisht në qendra alternative. Të tilla do të jenë 13 sosh dhe, sipas KQZ-së, në të shumtën e rasteve ato do të vendosen anash rrugëve. Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi druan që qendrat alternative do të jenë cak i sulmeve të ekstremistëve serbë, e ministri Nenad Rashiq shpreh drojën se, tashmë, Aleksandër Vuçiq, veç ka dhënë urdhër për ta destabilizuar veriun

Vetëm në një numër të kufizuar shkollash, qytetarët e komunave veriore të banuara kryesisht me serbë do të mund të votojnë në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Kutitë e votimit do të vendosen kryesisht në qendra alternative. Të tilla do të jenë 13 sosh dhe, sipas një informate që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e ka publikuar të shtunën, në të shumtën e rasteve ato do të vendosen anash rrugëve.

Kësisoj, zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçnit, Zubin-Potok dhe Leposaviq do të mbahen në 19 qendra votimi, nga të cilat 6 janë shkolla në lokalitete të banuara kryesisht me shqiptarë, e 13 të tjerat në kontejnerë.

Bazuar në listën që KQZ-ja e ka publikuar, qendrat alternative të votimit do të vendosen kryesisht në hyrje a dalje të fshatrave dhe qyteteve.

Ndonëse autoritetet shtetërore kanë theksuar se Kosova ka kapacitete për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në mënyrë të qetë dhe të sigurt, njohësit e sigurisë vlerësojnë se qendrat mobile do të jenë më të rrezikuara dhe më lehtë të cenueshme nga grupet kriminale.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se këto pika do të jenë më të rrezikuara nga grupet kriminale që nuk duan të zhvillohet procesi zgjedhor në veri të Kosovës. Ai thotë se të gjithë këtë situatë e ka krijuar mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje.

“Unë mendoj që do të jenë cak i sulmeve të ekstremistëve serbë, mu ashtu siç janë, pasi që unë e shoh se më shumë cenohesh kështu sesa në një objekt çfarë është edhe praktika tek ne në shkolla dhe objekte të tjera publike. Ky sistem mua nuk më fle nga aspekti i sigurisë”, ka thënë Ibishi.

E në njoftimin për vendvotimet që ka lëshuar të shtunën KQZ-ja, është bërë e ditur se vendndodhja e tyre është caktuar në bashkëpunim me organet e sigurisë.

“Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Por, edhe përfaqësuesi serb në Qeverinë e Kosovës, që mban postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, shpreh drojën se situata në veri ditën e zgjedhjeve mund të përkeqësohet. Ai thotë se urdhrat për destabilizim vijnë nga Beogradi zyrtar.

Rashiqi ka theksuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në takimin e 13 prillit në Rashkë, u ka kërkuar përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova që ta pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas tij, kërkesa të tilla që kanë qëllime të këqija, janë bërë prapa kamerave edhe në dy takime që para shumë vjetëve ai ka marrë pjesë.

“Në vitet 2015-2016 kam qenë prezent në dy ose tri takime ku udhëheqësi i takimeve ka qenë presidenti Vuçiq. Dhe, atje, mesazhet e takimeve, e kemi atë pjesën zyrtare për kamera dhe atë pjesën jo zyrtare. Duke e ditur që takimi ka ndodhur tash, unë ju garantoj që njerëz prezentë atje kanë marrë urdhra të sakta se si ta pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve. Fatkeqësisht, kjo na sjell në një pozitë ku prapë do të kemi obstruksione në terren”, ka thënë Rashiq.

Ai ka theksuar se për përfitime politike, Vuçiq, është i gatshëm t’i përdorë të gjithë serbët e Kosovës e madje edhe të krijojë situata ku i lë edhe pa vende pune, siç ka ndodhur muaj më parë me largimin e tyre nga institucionet e Kosovës. Por, ka shfaqur shpresën që nga kjo situatë të mos pësojë ndonjë serb.

“Për mua është dukshme, shihet që është në proces të sakrifikimit të të drejtave, ose në këtë rast po them, sakrifikimin e serbëve në veri për shkak të interesave të Beogradit. Dhe, kjo fatkeqësisht po vazhdon dhe nuk ka ndonjë qasje ose ndonjë paralajmërim për ndryshim të gjendjes aktuale”, ka thënë Rashiq.

Në prag të zgjedhjeve, janë rritur incidentet në veri. Janë djegur një numër automjetesh, pasi targat ilegale të të cilave janë kthyer në RKS. Tri sosh janë djegur edhe të shtunën.

E pikërisht shkaku i vendimmarrjes së Qeverisë për targat ilegale, Lista Serbe braktisi institucionet qendrore dhe lokale, pas të cilit hap u shpallën zgjedhjet e parakohshme për komunat e veriut.

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se nga sulmet në veri po pësojnë ata që po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tri vetura të tjera janë djegur herët në mëngjesin e sotëm. Strukturat ilegale të Serbisë tani po synojnë serbët vendës që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Për këtë situatë të krijuar, Nuredin Ibishi ka thënë se do të duhej të kishte reagim të shpejtë e në adresë të duhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Teksa e vlerëson si të cenuar sigurinë në veri, ai thotë se do të duhej të kishte edhe një rishikim të situatës për vendimin e mbajtjes së tyre.

“Tendenca jonë e edhe e bashkësisë ndërkombëtare është që të kemi zgjedhje të qeta dhe demokratike, por në këtë situatë që ata po kërcënojnë pritet që të ketë tensione. Mendoj që për këtë është dashur të reagojë me kohë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian”, ka thënë Ibishi.

Zgjedhjet në veri do të mbahen më 23 prill. Ato ishin shtyrë që nga dhjetori me kërkesë të Bashkësisë Ndërkombëtare pas tensioneve që ishin krijuar në veri.