Në një konferencë për media, të enjten, Nagavci ka thënë se premtimin e saj synon ta realizojë përmes ndërtimit të çerdheve të parafabrikuara, të cilave mund t’u ndërrohet lokacioni, sipas nevojës së popullatës, por edhe të ndërtohen shpejt
Për dy vjet pushtet u funksionalizuan katër çerdhe, e për dy të tjerat ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, beson se do të realizojë premtimin për hapjen e 160 çerdheve të reja.
Në një konferencë për media, të enjten, Nagavci ka thënë se premtimin e saj synon ta realizojë përmes ndërtimit të çerdheve të parafabrikuara, të cilave mund t’u ndërrohet lokacioni, sipas nevojës së popullatës, por edhe të ndërtohen shpejt.
“Çerdhet e parafabrikuara janë një trend i cili është në rritje gjithandej në botë, sepse jemi në kuadër të agjendës së gjelbër, pra luajnë të gjithë parametrat e rëndësishëm, e shkurtojnë dukshëm kohën e ndërtimit të çerdheve. 80 për qind e tyre ndërtohen kryesisht në fabrika, duke ruajtur kështu edhe ambientin, kanë mundësi të transportohen nga një vendbanim në tjetrin, varësisht nga lëvizja e popullatës. Karakteristikë kjo shumë e rëndësishme, sidomos për ndërtimin e objekteve në viset rurale”, ka thënë ajo.
Nagavci u shpreh se është bërë shpallja për kompaninë që do t’i projektojë e mbikëqyrë ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara.
“Në momentin që ne kemi kërkesa specifike nga komunat, e kemi të gatshme kompaninë që të bëjë ndërtimin e objekteve të parafabrikuara. Siç e thashë, kohëzgjatja e ndërtimit të tyre është dukshëm më e shkurtër se klasiket, për 4-6 muaj finalizohen. Në të njëjtën kohë mund të jenë më shumë se një çerdhe që punohen”, ka thënë ministrja.
Po ashtu, realizimin e premtimit Nagavici synon ta bëjë edhe përmes adoptimit të shkollave në çerdhe, si dhe ndërtimin e objekteve në mënyrë klasike.
“Ndërtimin e çerdheve e kemi fokusuar në tri drejtime kryesore: ndërtimi i çerdheve të reja, në vendet ku kemi lokacionet e dorëzuara nga komunat. Jemi duke punuar edhe në adoptimin e objekteve ekzistuese për t'i shndërruar ato në çerdhe të reja, si dhe do të fillojmë punën e ndërtimit të çerdheve të parafabrikuara”, ka shtuar ajo.
E mësimdhënësit që konsiderohen “tepricë teknologjike” pritet të rikualifikohen për të punuar në çerdhet e reja.
“Ne edhe për këtë vit kemi buxhetuar, kemi planifikuar, do të thotë punësimin e stafit që do të jetë në çerdhe. Por, përveç kësaj, ashtu siç e kemi bërë të ditur, do të punojmë në rikualifikimin e stafit në mënyrë që ata që janë tepricë teknologjike të rikualifikohen për punën që mund të jenë të afërta, me profesionin që e kanë përfunduar”, ka treguar ajo.
Sipas saj, në proces të ndërtimit janë 19 objekte të reja për institucionet e nivelit parashkollor, e në planifikim për sivjet janë edhe 17 godina të reja.
Vetëm 6.7 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç në Kosovë ndjekin edukimin e hershëm në çerdhe, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. E, sipas Agjencisë së Statistikave, në Kosovë janë rreth 130.000 fëmijë të kësaj moshe.
Përfshirja e ulët e fëmijëve në edukimin parashkollor është një vërejtje që është përsëritur disa vjet radhazi nga Komisioni Evropian, në raportet e progresit.