Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e Kuvendit që po mbahet të enjten, ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat është paraparë të mbahen më 23 prill, të shtyhen.
Sipas tij kjo temë duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet e vendit.
“Ne duhet të kemi guxim politik t'i trajtojmë temat në të vërtetën e tyre, së paku të mos fshihemi nga temat që vendi i ka përpara. Nuk mendoj që do të fitojë shteti nëse heshtim nga gjendja në veriun e Kosovës. Procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Pse jemi në këtë gjendje, e dimë agjendën e Serbisë dhe të Listës Serbe. Por a e dimë ne dhe Qeveria rrugën deri te suksesi. Me sa shoh unë, me informatat që kam gjendja e sotme nuk na dërgon te suksesi, procesi zgjedhor nuk na qon te suksesi”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij mostrajtimi i kësaj gjendjeje me seriozitet mund të shkaktojë pasoja të mëdha për vendin.
“Mostrajtrajtimi i kësaj gjendjeje edhe me aleatët tanë mund t’i thellojë pasojat në veri, e cilat do të ishin këto pasoja, në rast se Kosova qëndron në vendimin e saj për të mbajtur zgjedhjet dhe qytetarët do të shkojnë të votojnë në stacione policore”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka theksuar se vendimi më i mirë në këtë situatë është shtyrja e zgjedhjeve.
“Duhet t’i bëjmë analizë situatës, a është në interesin tonë të arrijmë te kjo pikë, çfarë do të fitojmë. Nuk besoj që duhet ta heshtim këtë gjendje, më mirë ta pranojmë një çerek humbje sot se një humbje të plotë nesër. I bëj thirrje Qeverisë dhe presidentes ta marrin me seriozitet situatën në veri dhe ta marrin një vendim të guximshëm. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë shtyrja e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.
Haxhiu: Të rikthehet Projektligji për tërheqje nga Trusti
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka akuzuar Qeverinë për sjellje të papërgjegjshme në raport me Trustin pensional dhe me kontributpaguesit pensionalë të Kosovës.
Derisa mori fjalën të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se vitin e kaluar humbjet në Trust ishin rreth 120 milionë euro, ndërsa këtë vit sipas tij, vazhdojnë të thellohen.
“Po bëhen gati dy muaj që trusti është pa bord. Kjo mazhorancë e papërgjegjshme që në dy raste e rrëzoi projektligjin për Trustin tani sillet edhe me ma papërgjegjshmëri, duke rrezikuar seriozisht mjetet e Trustit. Duke parë që në vitin e kaluar humbjet në Trust ishin 118 milionë euro, këtë vit vazhdojnë të thellohen humbjet në trust në mungesë të vendimmarrjes në bordin e Trustit. Sjellja e Qeverisë në raport me trustin dhe kontributpaguesit pensionalë të Kosovës është e papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Derisa ka bërë thirrje që të funksionalizohet Bordi i Trustit Pensional, Haxhiu ka thënë se është obligim i ekzekutivit ta rikthejë në Kuvend projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Sot kur bordi i Trustit nuk është funksional, është obligim i Qeverisë ta rikthejë në Kuvend projektligjin për tërheqjen e trustit dhe tu ndihmojë qytetarëve t’i shpëtojnë disa nga kursimet e tyre. Është obligim ligjor i yni që nëse Qeveria nuk përmbush detyrimet e saj, këtë ta bëjmë ne. Andaj reforma pensionale mund të iniciohet nga ne dhe ju ftoj si mazhorancë të mos i bllokoni nismat tona. Ju ftoj ta riktheni projektligjin për trustin dhe të mos rrezikohen kursimet e tyre”, ka thënë ai.
Pas tij ka folur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, e cila ka thënë se në dy vjet qeverisje të Albin Kurtit, shumica e ministrive funksionojnë pa Sekretarë të Përgjithshëm.
“Është e papranueshme që në dy vjet të kësaj qeverie asgjë nuk funksionon siç duhet. Shumicës së ministrive u mungojnë sekretarët e përgjithshëm. Po filloj nga Zyra e Kryeministrit ku ende ka ushtrues detyre. Ministria e Financave me ushtrues detyre, Ministria e Zhvillimit Ekonomik njëjtë, MAPL-ja me ushtrues detyre, Ministria e Jashtme me ushtrues detyre, Ministria për Komunitete dhe Kthim me ushtrues detyre për sekretar, Ministria e Industrisë, Tregtisë me ushtrues detyre. Dhe tash po i përmend se cilat institucione funksionojnë me ushtrues detyre. Thesari me ushtrues detyre, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me ushtrues detyre, Agjencia e Statistikave të Kosovës me ushtrues detyre, Agjencia e Arkivave me ushtrues detyre, Inspektorati shëndetësor me ushtrues detyre, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve me ushtrues detyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut me ushtrues detyre. Ja se si e udhëhiqni shtetin. Ju propozoj që kjo Qeveri të udhëhiqet me ushtrues detyre. Jeni Qeveria më e papërgjegjshme, jeni Qeveria që funksiononi vetëm me ushtrues detyre”, ka thënë ajo.
