Arbëri

Rusia synon t’ia pamundësojë Kosovës përfaqësimin në KS të OKB-së

Rusia e ka përdorur sërish rastin e Kosovës për t’i legjitimuar veprimet e saj në Ukrainë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së në një dokument për Kosovën ka paralajmëruar se Rusia do të tentojë t’i japë fund praktikës së deritashme të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në seancat e kësaj trupe. Kjo, pasi SHBA-ja dhe shtetet tjera perëndimore në mars ia refuzuan Rusisë propozimin që në format të njëjtë të përfaqësohet edhe rajoni ukrainas i aneksuar, Donjetsk

Rusia do të tentojë t’ia pamundësojë Kosovës përfaqësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së muajin kur planifikohet të diskutohet për situatën në Kosovë.

Ky paralajmërim është dhënë në një dokument të Këshillit të Sigurimit, i cili flet edhe për zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë. Ndryshimi i praktikës së deritashme do të tentohet nga pala ruse, pasi në mars anëtarët e Këshillit të Sigurimit ia refuzuan propozimin që Daria Morozova ta përfaqësojë rajonin e aneksuar të Ukrainës Donjetsk, në cilësinë e Ombudspersonit, në seancat e Këshillit të Sigurimit.

“Ndërsa një përfaqësues i Kosovës zakonisht merr pjesë në konferencat e Këshillit sipas Rregullës 39 të rregullores së përkohshme të procedurës, Rusia mund të përpiqet ta kundërshtojë këtë praktikë në takimin e muajit të ardhshëm. Gjatë konferencës së Këshillit mbi situatën në Ukrainë më 17 mars, Rusia propozoi që Daria Morozova, në cilësinë e saj si ‘Ombudsperson i rajonit të Donetsk’, ta informojë Këshillin sipas rregullës 39”, thuhet në dokument.

Kundër propozimit të Rusisë kanë dalë Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë quajtur përpjekje për ta legjitimuar aneksimin që nuk e ka mbështetjen e Perëndimit.

Më tej, raporti tregon për analogjitë që pala ruse ka tërhequr me rastin e Kosovës duke e akuzuar ShBA-në se ia mundësuan një vendi joanëtar të përfaqësohet në OKB.

“Këshilli votoi për të mos lejuar Morozovën të marrë pjesë, pas së cilës Rusia argumentoi se arsyetimi i SHBA-së mund të zbatohej edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjet e Këshillit sipas Rregullës 39. Sipas Rusisë, kjo pjesëmarrje është ‘një shkelje e qartë e Rezolutës [Këshilli i Sigurisë] 1244’ të vitit 1999, e cila themeloi UNMIK-un. Rusia më pas la të kuptohet se mund ta ngrejë këtë çështje në konferencën e ardhshme për situatën në Kosovë”, thuhet në dokument.

Çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut, me synim tërheqjen e mundshme nga Kosova, është pika tjetër që ka prodhuar mosmarrëveshje mes anëtarëve të Këshillit, thuhet në raport. SHBA-ja është më e zëshmja për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, si dhe për reduktimin e seancave për Kosovën, duke përmendur nivelin e stabilitetit në Kosovë.

Në seancën që mbahet këtë muaj është paralajmëruar edhe miratimi i një deklarate lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Por termi për marrëveshjen - “ligjërisht e detyrueshme” përmendet vetëm për Kosovën, edhe pse zyrtarët e BE-së dhe ata të SHBA-së kanë paralajmëruar se e njëjta duhet të vlejë edhe për Serbinë.

“Ai (Këshilli i Sigurimit) do të vazhdojë t’i monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Në këtë drejtim, anëtarët e Këshillit mund të konsiderojnë procedimin e një deklarate presidenciale që përshëndet marrëveshjen e 27 shkurtit për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë në mirëbesim aneksin e 18 marsit”, shkruhet në dokument.

Raporti i Këshillit të Sigurimit thekson edhe tensionet e fundvitit të kaluar duke iu referuar vendimit të Qeverisë për konvertimin e targave ilegale, pas të cilit serbët në veri bllokuan rrugët e u dorëhoqen nga institucionet e Kosovës.