Arbëri

Me marsh e protestë kërkohet largimi i profesorit Bejta nga UP-ja

Protesta e Keshillit Studentor - para rektoratit

Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka mbajtur një marsh në shenjë pakënaqësie dhe revolte ndaj menaxhmentit të UP-së, për rastin e profesorit recedivist Bekim Bejta.

Edon Nishori nga ky Këshill ka thënë se ky është një marsh simbolik i organizuar kundër profesorit, tashmë të suspenduar. 

“Padyshim se dukuritë e tilla nuk janë të mirëpritura dhe neve sot na vjen turp që një profesor tash e 11 vjet ka bërë këso veprime dhe nga instancat përgjegjëse nuk është ndërmarrë një dënim konkret ndaj tij, por lëshimet që janë bërë ndaj tij vetëm e kanë inkurajuar më shumë që ai t'i kërcënojë dhe t'i shantazhojë studentët. Poashtu, edhe ne i kemi disa fakte që do t'i adresojmë tek Këshilli i Etikes dhe në instanca tjera", ka theksuar Nishori.

Ai ka folur edhe për vendimin për suspendimin e Bejtës. “Ky është vetëm fillimi i një fitoreje të studentëve të ngritjes së zërit të tyre, sepse pezullimi me përjashtim ka dallim. Andaj, ne do ta vazhdojmë revoltën tonë me metodat tona që do të njoftoheni ditëve në vijim në drejtim të dekanatit dhe instancave tjera, sepse mendojmë se do të jepen në Këshill të Etikes edhe disa rekomandime apo përgjigje nga instancat përgjegjëse që e kanë indinjuar këtë që sa kohë”, ka deklaruar Nishori.

Ai ka thënë se për ta është e papranueshëm që pas pezullimit Bejta të kthehet në punë. Sipas tij kërkcënimet e profesorit Bejta, ndaj studentëve kanë qenë nga më të ndryshmet.

"Ai edhe përmes notave në SEMS, kemi raste se nuk mund të them lirshëm pasi nuk kemi fakte adekuate, por kemi raste edhe të ngacmimeve seksuale të studenteve, siç i cilëson ka dy metra të bukura, por ne do t'i dëshmojmë të gjitha. Ai është një psikopat, dhunues psikik, dhe nuk di çfarë epiteti t'i jap atij. E di që pas kësaj deklarate mund të jem i rrezikuar", ka theksuar Nishori.

Një protestë për rastin e profesorit Bejta është organizuar edhe nga Lëvizja Feministe Studentore.

“Bekim Bejta Jashtë”, “Siguri për studentet dhe studentët e UP-së” e “Siguri për gratë dhe vajzat në UP”, kanë qenë thirrjet e pjesëmarrësve në protestën që është mbajtur para ndërtesës së Rektoratit.

Image

Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të mërkurën që ta suspendojë përkohësisht profesorin Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe të gjitha aktivitetet akademike në UP.

Sipas vendimit të Senatit, Bejta është suspenduar lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët. Suspendimi i përkohshëm është maksimalisht për 6 muaj, deri në një vendim përfundimtar.