Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, e ka akuzuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se po shkel Marrëveshjen e Ohrit, të arritur më 18 mars mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Vela përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se Serbia po përpiqet të minojë zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes, pas lobimit të Daçiqit në disa vende aziatike për mosnjohjen e Kosovës.
“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus. Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën. Serbia do ta shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë!”, ka shkruar Vela.
Gjatë vizitës së Taxhikistan, Daçiqi ka thënë se ky shtet ka konfirmuar se nuk do ta njohë "Pavarësinë e njëanshme të Kosovës".
Neni 4 – sipas Marrëveshjes së Ohrit
Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.