Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të mbështesin qytetarët pas vendimit të fundit për rritje të çmimit të energjisë. Ai ka thënë se do të subvencionojnë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kWh në muaj, ndërsa grupet e cenueshme do të kenë trajtim të veçantë.
Në takimin që po zhvillohet me përfaqësuesit e komunave, Kurti ka thënë se ka pasur rezultate të menjëhershme të masave të cilat qeveria i ka aplikuar gjatë këtij dimri.
“Mbështetja jonë ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet në asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë. E me rreth 9 milionë euro kemi rinovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike. Shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikëseve, duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë. Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri, falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian këto masa të dëshmuara po e shumëfishojnë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë”, ka thënë Kurti, raporton KP.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 30 mars ka marrë vendim që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15.4 për qind. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga një prilli. Sipas vendimit të ZRRE-së, ata që harxhojnë 300 kWh, rritja do të jetë 2.88 euro. Për ata që harxhojnë 450 kWh, rritja do të jetë 4.18 euro. Për ata që harxhojnë 600 kWh, rritja do të jetë 5.49 euro. Për ata që harxhojnë 800 kWh, rritja do të jetë 7.23 euro. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13.80 euro.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se target grup kanë sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
“Në kuadër të planit emergjent prej 75 milionë euro që përkrahet nga Bashkimi Evropian, Ministria e Ekonomisë që nga ky vit do të fillojë zbatimin e masave për masa të efiçiencës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë euro dhe target grup kemi sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Për familjet, do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçiente siç kemi bërë edhe vitin e kaluar duke përfshirë këtu klimat inventar, kaldajat, stufat, një vazhdimësi e thirrjes së kaluar potencialisht me modifikime duke rrefkëtuar nevojat e qytetarëve, pajisje të tjera efiçiente shtëpiake që kanë potencial për kursim të energjisë siç janë frigoriferët e të tjera, dhe sistemet solare fotovoltaike dhe solare termike për ngrohje të ujit”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka bërë të ditur se e ka adresuar kërkesën e komunave për të standardizuar dhe harmonizuar legjislacionin sekondar që ka të bëjë me instalimin e sistemeve solare fotovodaike për vetkonsum.
Sipas saj, hapat për këtë do të ndërmerren me prioritet nga java e ardhshme në mënyrë që të lehtësohet vendosja e sistemeve të instalimeve solare për shtëpitë.
“Ministri na ka premtuar se do t’i ndërmarrin hapat me prioritet që nga java e ardhshme shpresoj në mënyrë që të lehtësohet vendosja e sistemeve të instalimeve solare për shtëpitë. Gjithashtu sivjet për herë të parë do të subvencionojmë pajisjet për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje ngrohëse efiçiente mirëpo edhe pajisje teknologji efiçiente të punës si dhe sisteme solare fotovoltaike”, ka thënë ajo.
E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se masa për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike për të gjitha familjet që e kursejnë atë kishte synim të zvogëlonte importin, të ruante ambientin dhe fuqinë blerës të familjes.
Por sipas tij, kjo ndikon edhe në kursimin e buxhetit.
“Në kuadër të diskutimeve që kemi pasur për këtë programin mbështetës me Bashkimin Evropian na kanë ofruar mbështetje që të vazhdohet edhe për 15 milionë euro apo përafërsisht edhe katër muaj të tjerë. Deri më tani, deri në fund të muajit shkurt, nga përllogaritjet që kemi marrë, pra nga familjet që kanë përfituar nga ky subvencionim nga kjo masë janë kursyer rreth 357 GWh energji që do të importohej përndryshe. Nëse merret një çmim i përafërt apo mesatar i kostos së importit për gjatë kësaj periudhe del që së paku 70 milionë euro import janë kursyer. Që konsiderojmë që megjithatë ka pasur një kthim mjaft të mirë në investimin që kemi bërë si qeveri pro edhe Bashkimi Evropian në këtë rast, për të mbuluar dhe për të vazhduar subvencionimin e kësaj mase”, ka thënë Murati.
Në këtë takim, nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është thënë se për dy vitet e fundit kanë mbështetur kompanitë me rreth 40 milionë euro dhe 100 projekte, prej të cilave disa janë që ndërlidhen me energjinë efiçiente dhe krijimin e kushteve për kursimin e energjisë.