Arbëri

Gjinovci: Sipas mbrojtjes së Thaçit, UÇK-ja gati sa nuk paska ekzistuar në Kosovë

Sipas aktivistit Rron Gjinovci, në Kosovë duhet të ngriten dy pyetje pas dy seancave gjyqësore në Hagë që u zhvilluan ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Deklaratat e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Gjinovci i ka parë qesharake por edhe të dhimbshme. Ai ka thënë se mbrojtja ka nënkuptuar se Thaçi nuk paska qenë drejtues i UÇK-së dhe që të akuzuarit në kohën e luftës nuk kanë qenë në Kosovë.

“Sot ishte sa qesharake aq edhe e dhimbshme me pa se si avokatët e Hashim Thaçit thoshin se ne nuk i mohojmë krimet që i ka kryer UÇK-ja, kështu ka thënë tekstualisht, ka thënë që klienti im nuk i mohon krimet që i ka kryer UÇK-ja, por nuk ka dhënë urdhër për ato dhe nuk ka pasur vendimmarrje për ato krime. Unë jam rritur në një Kosovë ku këta anë qenë dragonj, kanë fluturuar gjatë luftës, Kadri Veseli ka kërcyer prej aeroplanit për të ardhur në Kosovë, tash sot mbrojtja e Thaçit thoshte se ata s’kanë qenë fare në Kosovë, që s’kanë pasur kurrfarë fuqie dhe lidhje me UÇK-në”, ka thënë ai në Konfront të KTV-së.

Gjinovci ka thënë se duhet kërkuar përgjigje e saktë nëse paska ekzistuar UÇK-ja, tash pas deklarimeve të mbrojtjes së të akuzuarve në Hagë, dhe a kanë qenë drejtues të UÇK-së ata që përmenden.

“Pyetjet që po i shtroj janë të thjeshta: A ka ekzistuar UÇK-ja, nëse po a është udhëhequr prej dikujt, prej kujt është udhëheqë sepse Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk qenkan, këta dy thanë sot se nuk kanë qenë, se nuk kanë pasur fuqi drejtuese në UÇK. Këto pyetje duhet shoqëria jonë t’i diskutoj”.

Gjinovci ka theksuar se ajo që u dëgjua nga mbrojtja të martën ishte se UÇK-ja thuajse nuk ka ekzistuar fare.

“Pamë prokurorinë që u mundua ta shtrojë rastin duke thënë që UÇK ka ekzistuar, ka pasur drejtues, dhe organizim të mirë mes veti duke u nisë nga historia që vetë këta e kanë shkruar. Këta e kanë akuzuar gjykatën speciale se është gjykatë që po tenton ta shkruaj historinë duke aluduar se kjo gjykatë po mundohet t’ia ndryshojë historinë UÇK-së, por çfarë kemi parë sot prej mbrojtjes është se këta vetë e rishkruan historinë dhe thanë se UÇK-ja gati sa nuk paska ekzistuar në Kosovë”.

Gjinovci ka treguar se për deklarimet e tij personale po merr kërcënime në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

“Unë vazhdimisht po marr mesazhe fyese e kërcënuese, kjo tregon si ekziston terror mbi popullsinë lidhur me këtë temë”.