Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Petkoviq, pas takimit në Bruksel: Jemi pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur

Takimi trilateral mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka përfunduar në orët e vona të pasditës të së martës, 4 prill, në Bruksel.

Pas takimit, Petkoviq tha se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë - mes kryeministrit të Kosvës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se është biseduar edhe për formimin e Asociacionit me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.

Edhe Bislimi: Arrihet dakordim me Serbinë për komisionin për të pagjeturit Arbëri Bislimi: Arrihet dakordim me Serbinë për komisionin për të pagjeturit

Ai tha se ka pasur bisedime edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit.

Petkoviq tha se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.

“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai.

Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.

Përmes një postimi në Twitter, Chollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”.

Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviqin, i dërguari evropian shkroi në Twitter se veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për "çështjet aktuale urgjente".

Bislimi, i cili ka udhëtuar dje drejt Brukselit, ka takuar sot edhe komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Edhe Bislimi akuzon Petkoviqin për deklarime të rrejshme pas takimit të 10 qershorit në Bruksel Arbëri Bislimi akuzon Petkoviqin për deklarime të rrejshme pas takimit të 10 qershorit në Bruksel

Komisionari evropian shkroi në Twitter se kanë biseduar për agjendën e reformave evropiane dhe për opsionet se si do të mund të ndihmoj Komisioni Evropian në implementimin e atyre që janë arritur në dialog, që ky të jetë i suksesshëm.

Ndërsa në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës u tha se, gjatë takimit, Bislimi theksoi përkushtimin e Kosovës "për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian".

BE-ja tha të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Unioni e ka quajtur marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit. Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përsëritjes së tensioneve.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit. Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Takimi Bislimi-Petkoviq është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.

Edhe Bislimi e Petkoviqi takohen në Bruksel Arbëri Bislimi e Petkoviqi takohen në Bruksel

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL