Në programin e Vetëvendosjes parashihet ristrukturimi i skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë dhe rritjes së mirëqenies sociale. Por, njohës të politikave sociale thonë se edhe pas dy vjetësh qeverisjeje, nuk ka veprime konkrete dhe afatgjate për t’i jetësuar këto politika
Ka gjashtë muaj që M.XH-së nga Janjeva e Lipjanit i është ndalur ndihma sociale prej 80 eurosh që e merrte nga shteti.
Ajo jeton me dy anëtarë të familjes.
Në kushte anonimiteti tregoi se në Qendrën për Punë Sociale arsyetuan ndalesën e ndihmës, pasi i thanë se duhet të gjejë punë.
“Po më thonë të punojë, por unë nuk jam në gjendje për të punuar. Jam prej veshkave sëmurë”, ka thënë ajo. “Më herët i kam marrë 80 euro. Më kanë thënë gjej punë. Ku me punu?”.
Në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan thonë se ky rast nuk i plotëson kriteret për asistencë sociale.
“Rasti në fjalë është proceduar sipas Ligjit dhe kritereve, për çka edhe ka vendimmarrje në instancën e parë – Qendrën për Punë Sociale, e po ashtu edhe në shkallë ankimimi, pra në Komisionin e Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare, për çka edhe është refuzuar ankesa e palës në fjalë me arsyetimin se nuk i plotëson kriteret në kategorinë e parë – sipas Komisionit Mjekësor”, kanë thënë në Qendrën për Punë Sociale në këtë komunë.
E Shasivar Tahiri nga komuna e Shtimes jeton në kushte të rënda ekonomik, me bashkëshorten dhe vajzën 1-vjeçare. Ndihm prej 110 eurosh që e merr nga shteti, sipas tij, nuk mjafton as për t’i plotësuar nevojat elementare të jetesës.
“Na jemi këtu prej kur kam lindë. Kjo është shtëpia e vëllait, por ai tash po kërkon t’ia lëshoj, se i ka problemet e veta, kështu që ne duhet të dalim diku, për të bërë një zgjidhje tjetër”, ka thënë Tahiri.
Njohës të çështjeve sociale thonë se nga qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje është pritur një angazhim më i intensifikuar në fushën sociale, për t’i kontribuuar luftimit të pabarazisë e forcimit të solidaritetit në shoqëri.
Artan Mustafa, ligjërues i politikës sociale, thotë se nga programi i Lëvizjes Vetëvendosje është pritur një angazhim më i intensifikuar në fushën sociale.
“Programi i ndihmës sociale për shembull, nuk është i updatuar gati qe një dekadë. Për shkak se kushtet shoqërore kanë ndryshuar, ndërsa kriteret e kualifikimit mbeten të vjetërsuara, ajo përjashton shumë njerëz të varfër nga kualifikimi i mundshëm”, ka thënë Mustafa. “Në këtë aspekt nuk kemi parë shumë debate sociale, intensive, as debate në televizion, e të tjera. Kjo është pak dekurajuese për shkak se e kemi parë madje lëvizjen e kundërt, për befasinë e të gjithëve, sepse Lëvizja Vetëvendosje e ka emrin Vetëvendosje në emrin e saj, domethënë e përqafon atë ideologji. Ajo është përpjekur që disa herë t’ia nënkontraktojë bankës botërore dizajnin edhe udhëheqjen në reforma sociale”.
E Arian Lumezi, hulumtues në Institutin “Musine Kokalari”, thotë se pavarësisht orientimit ideologjik që proklamon Vetëvendosja, ka pak të arritura.
“Vendosja e Ministrisë së Punës në dikasterin e Ministrisë së Financave e ka bërë këtë problemin që tashmë të gjitha ndërmarrjet në kuptimin e të gjitha iniciativave të Qeverisë llogariten vetëm prej prizmit të financave, e jo prej një prizmi që do të ishte më gjithëpërfshirës në kuptim të ndërmarrjes së disa iniciativave që kanë të bëjnë me transformimin e mënyrës se qysh na e shohim dhe i zbatojmë politikat sociale në shoqëri”, ka thënë Lumezi.
Në programin e Vetëvendosjes parashihet ristrukturimi i skemave sociale dhe pensionale, me qëllim të uljes së varfërisë dhe rritjes së mirëqenies sociale. Prej dy javësh KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri dhe në Ministrinë e Financave lidhur me moszbatimin e këtyre politikave, por nuk ka siguruar përgjigje.