Arbëri

Beqiri: Shtrenjtimi i rrymës do të ndikojë në rritjen e çmimeve në secilën fushë

Rryma - ZRRE - ulja - fatura e rrymes

Shtrenjtimi i energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind do të rrisë koston e prodhimit në sektorin privat dhe pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve në vend, ka vlerësuar drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, e cila kundërshton vendimin e ZRrE-së për ngritjen e tarifave dhe e quan të gabuar.

Beqiri ka shtuar se sfidë mbetet edhe periudha e shkurtër e kthimit të borxhit për furnizimin me energji elektrike. Ajo ka kërkuar nga Qeveria mbështetje për bizneset dhe prodhuesit vendorë.

Pakoja e fundit për përballimin me inflacion ishte miratuar në shtator të vitit 2022 në vlerë 150 milionë euro.

“Bazuar në rritjen për 15 për qind në bazë të komunikimit tonë me biznese ne e shohim si shumë problematike këtë rritje, sepse është rritje e madhe për kohë shumë të shkurtër dhe për këtë po shpresojmë se qeveria ndoshta do të vijë me një vendim pak më të mirë, sepse ky si i tillë do ta dëmtojë shumë biznesin, shkaku se nëse kostoja e prodhimit i rritet për 15 për qind të energjisë elektrike, duke pas parasysh të gjitha bizneset tek ne, prodhimet përdorin energji elektrike, atëherë kjo automatikisht ndikon në koston për njësi, pra rritje të çmimeve në të gjitha produktet në Kosovë. Njëherësh edhe tek shërbimet, edhe për shërbime bizneset përdorin energjinë elektrike. Kuptohet, si të rriten shpenzimet tjera, pritet që të rriten edhe shpenzimet e shërbimeve, që do të thotë se do të ketë rritje të çmimeve në secilën fushë”, theksoi Beqiri.

Beqiri ka thënë se qeveria duhet të hartojë politika zhvillimore për nxitje të punësimit.

“Ne mendojmë se është vendim i gabuar, është rritje shumë e lartë. Biznesi në fakt duhet të subvencionohet që t’i zvogëlohet energjia elektrike, sepse ne jemi mbi 80 për qind e kontribuojmë në buxhetin e Kosovës dhe si biznese ne duhet të inkurajohemi më shumë për të krijuar më shumë vende të punës. Në vend se t’i shkojë fatura e energjisë elektrike me një rritje të tillë, më mirë është të punësohen më shumë persona”.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që tarifat e reja të energjisë elektrike të rriten për 15.4 për qind.

Këto tarifa kanë hyrë në fuqi më 1 prill dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Konsumatorët që konsumojnë 300 kWh rritja do të jetë 2.88 euro, prej 450 kWh fatura mujore do të rritet 4.18 euro. Ata që konsumojnë 600 kWh do të paguajnë 5.49 euro më shumë, ndërsa konsumatorët që harxhojnë deri 800 kWh rritja e faturës do të jetë 7.23 euro. Për konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh do të paguajnë 10. 51 euro më shumë dhe ata që harxhojnë 1200 kWh kanë me paguar 13.8 euro më tepër. /KP