Këshilli i Prindërve ka kërkuar pushimin pranveror për nxënësit.
Këshilli përmes një reagimi në Facebook ka thënë se pavarësisht se këtë kërkesë e kishte paraqitur qysh më 2022, Ministria e Arsimit nuk e ka marrë parasysh dhe ka shkelur të drejtat e nxënësve në sektorin publik për pushim.
“Kjo nuk mbajmë mend të ketë ndodhur pas luftës në Kosovë”, thuhet në reagim.
Këshilli thotë se e ka habitur heshtja e institucioneve karshi kësaj çështjeje. Ndërkohë, shton se i ka dërguar ministres Arbërie Nagavci kërkesë që ta rishqyrtojë vendimin për mospushim.
“Më shumë sesa të shqetësuar e të mllefosur që na shkelën të drejtat e fëmijëve shpesh, përsëritur e krejtësisht hapur (pa asnjë pasojë për shkelësit); e që anshkalohemi si Këshill për shkak të qëndrimeve parimore e të drejta, është heshtja e çuditshme e krejt institucioneve të vendit dhe palëve të tjera për këto shkelje të rëndë të drejtash. Të krijohet përshtypja sikur ky vend nuk ka President, nuk ka Kryeministër, nuk ka Kuvend, nuk ka prokurori e gjykata, nuk ka Avokat të Popullit, nuk ka Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, nuk ka akademi, nuk ka kryetarë komunash e drejtori komunale të arsimit, nuk ka opinionistë, nuk ka përfaqësi ndërkombëtare (që deklarohen edhe për çështje krejt minore), nuk ka organizata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Jemi vetëm ne e fëmijët tanë”.