Arbëri

Parlamenti Studentor kërkon të merren masa ndaj profesorit që kërcënoi studentët

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka kërkuar nga organet udhëheqëse të këtij universiteti që të marrin masa ndaj profesorit të Fakultetit Filologjik, Bekim Bejta, pasi disa studentë e kanë raportuar për dhunë psikike e përdorim të gjuhës denigruese.

KOHA ka publikuar të premten audioincizimet që shpërfaqin gjuhën kërcënuese të Bejtës ndaj një studenteje, e cila e ka raportuar në Këshill të Etikës. Këshilli i Etikës e ka vlerësuar profesorin Bejta recidivist për sjellje joetike, porse kjo instancë, në korrik të vitit të shkuar, e ka “dënuar” atë vetëm me ndalim të mentorimit. E, për situatën e përsëritur Këshilli tash ka rekomanduar që Rektorati dhe Dekanati të mbajnë një mbledhje konsultuese më të në “atmosferë akademike dhe profesionale”.

Pas raportimit të KOHËS, Parlamenti Studentor ka dalë me reagim duke shprehur shqetësimin për rastin.

“Në vendimin e marrë, Këshilli ka konfirmuar se profesori është recidivist i sjelljeve joetike. Ndërsa, për veprimet e tij të përsëritura e ka ndëshkuar atë vetëm me ndalim të përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet. Këtë të premte, Këshilli i Etikës ka marrë një vendim, ku në të nuk shqiptohet ndonjë masë ndëshkimore ndaj profesorit Bejta mirëpo rekomandohet që Rektorati së bashku me Dekanatin e Fakultetit të Filologjisë të mbajnë një mbledhje konsultuese me profesorin në fjalë. Ne si Parlament Studentor kërkojmë nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës që sa më shpejtë t’i marrin masat e duhura për ketë rast absolutisht të patolerueshëm i cili paraqet shqetësim të madh për të gjithë ne si studentë”, thuhet në reagim të Parlamentit Studentor.