Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) Ramiz Krasniqi, ndaj ish-anëtarëve të Bordit dhe ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi. Sipas Mujës, ata kanë kryer veprat penale “mashtrim në detyrë”, “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “keqpërdorim i informacioneve zyrtare”.
Muja ka shkruar në Facebook të enjten se ish-drejtori Krasniqi dhe ish-anëtarët e Bordit, Musa Shabani, Festim Kutllovci, Azem Rexhaj, Kemajl Zeqiri, Avdi Konjuhi dhe ish-ministri Krasniqi, po dyshohen se nëpërmjet mashtrimit, kanë shkelur Ligjin për Miniera dhe Minerale, duke ia dhënë një investitori privat zona të interesit të Ndërmarrjes “Trepça”.
“Të njëjtët, rezervat minerale të plumbit dhe zinkut të Trepçës në Zjaqë, Vllahi, Gumnishtë, që vlerësohen rreth 7,650,000 milionë tonë, në vlerë tregu prej rreth 1 miliard euro, ia kishin dhënë një firme private”, ka shkruar Muja, që njëherësh është kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Ai ka thënë se ish-zyrtarët e KPMM-së ishin zgjedhur ish-partitë në pushtet, e me këto vendime, sipas deputetit të LVV-së, i kishin tjetërsuar zonat e dedikuara për “Trepçën”.
“Të gjithë zyrtarët e lartcekur dyshohen se si fiduciarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe NISMA-s me këto vendime tjetërsuan zonat e dedikuara për Trepçën, duke e zhveshur nga rezervat e saj pas miratimit të Ligjit për Trepçën, me synimin tjetër nga ai publik për të cilin duhet të kujdeseshin”, ka shkruar deputeti Muja.
Ish-ministri Vesel Krasniqi ka mohuar që në këtë ka pasur shkelje. Ai ka hedhur akuza mbi Mujën.
“Armend Muja është njeri i pa njeri. Ai s’e ka përmendur që i njëjti raport dhe dokumentacion ka shkuar dhe është votuar edhe në kabinetin e Qeverisë Kurti. Për tokat e dhëna për shfrytëzim kanë shkuar sipas procedurave të duhura. Është vlerësuar edhe nga Komisioni ndërministror se gjithçka ka qenë në rregull. Unë e kam dorëzuar te Qeveria Hoti, por ra Qeveria dhe erdhi Kurti. Komisioni sërish e vlerësoi këtë çështje, u vlerësua i rregullt dhe i shkoi ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari. Ajo e dërgoi në Qeveri dhe aty kaloi. Tash Armend Muja po e kthen nga fillimi, kur e dinë se ka kaluar në Qeveri”, ka thënë Krasniqi që ka dërguar në redaksi edhe dy vendimet për të cilat ka folur.



KOHA të enjten në mbrëmje e ka pasur të pamundur të kontaktojë me të gjithë të përfshirët në çështje.