Arbëri

24 vjet pas krimit me 106 të vrarë kanë mbetur vetëm edhe dy dëshmitarë

Tahir Limani pati fatin dhe nuk e kapi asnjë nga plumbat e paramilitarëve serbë, ani se ishte rreshtuar për pushkatim skaj një përroi në fund të luginës së fshatit Pastasellë, me ç’rast u vranë 106 meshkuj. 80-vjeçari, njëri nga 13 të mbijetuarit e masakrës, i ka të freskëta kujtimet e 24 vjetëve më parë
 

Dy nga 13 të mbijetuarit e Masakrës së Pastasellës janë ende gjallë, e vetëm njëri është ende i aftë me shëndet të rrëfejë për tmerrin e 31 marsit. Në Pastasellë janë 100 varre me emra e mbiemra, kurse në një janë varrosur mbetjet mortore të gjashtë personave të vrarë e më pas të djegur. Të mbijetuarit thonë se nuk janë marrë në pyetje asnjëherë nga organet e hetuesisë

Rrëfimin e 13 të mbijetuarve të Masakrës së Pastasellës, organet e hetuesisë nuk e morën kurrë. Nga 11 prej tyre nuk do të mund ta marrë më, pasi kanë vdekur ndërkohë.

Dhe nga dy të mbijetuarit e masakrës ku u vranë 106 meshkuj, sot vetëm njëri është në gjendje të mirë shëndetësore të kujtojë tmerrin e 31 marsit 1999.