Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë e kanë humbur ambicien që ta ndihmojnë Kosovën në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.
Ai ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV të enjten se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së kryeministrit Albin Kurti. Sipas Krasniqit, momentumi për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë është humbur, e nga kjo siç ka thënë ai, Kosova ka humbur shumë.
Krasniqi ka thënë se gjithçka nisi nga agresioni rus në Ukrainë.
“E kemi mbështetur Qeverinë në raport me Serbinë, duke i dhënë hapësirën e plotë të veprimit pa pengesa. Duke mos e ftuar as Kuvendin e Kosovës për të raportuar, për t'i ikur çfarëdolloj tensionimi të situatës në mënyrë që ta inkurajojmë sa më shumë që ai të angazhohet në proces dhe të shfrytëzojë mbështetjen e madhe që ekzistonte të bashkësisë ndërkombëtare... Gjatë kësaj periudhe Kurti ka qenë përtej arrogant, ka qenë edhe irracional. Ka qenë komplet i papërgatitur e i papërvojë po mbi të gjitha edhe shpërfillës. Jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj ndërmjetësve, në mënyrë të veçantë në periudha të caktuara edhe ndaj SHBA-së, BE-së, që ka ndikuar në qasjen e përgjithshme sa i përket dialogut”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, Kurti u krijoi pasiguri vendeve aleate përgjatë një viti, e kjo për Krasniqin, është argument për ndërrimin e qëndrimeve të vendeve mike për Kosovën.
“Kjo mungesë e sigurisë që ai ua shkaktoi të gjithëve krizat thuajse se janë në unison ai dhe presidenti Vuçiq. Kur krijoi një krizë në korrik e pastaj vazhdoi në shtator, e një eskalim në nëntor. Besoj se e ka ndryshuar qasjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Krasniqi.