Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit, më shumë se për raportet Kosovë-Serbi, ka të bëjë me zotimin e aleatëve ndërkombëtarë për shtytje të re e të fuqishme për pranimin e Kosovës ndërkombëtarisht.
Në panelin e diskutimit në Akademinë diplomatike të Vjenës dhe Institutit austriak për politikat evropiane dhe të sigurisë, Osmani të enjten ka thënë se janë tri mesazhe kryesore nga tema e këtij diskutimi për “momentumin e ri të integrimit ndërkombëtar të Kosovës”.
Si mesazh të parë ajo ka thënë se duhet kujtuar se “Kosova është storie suksesi”, duke numëruar rezistencën popullore e ndihmën e aleatëve në kohërat e vështira deri te ndërtimi i shtetit e demokracisë. Ajo ka thënë se Kosova është në rrugën euroatlantike, jo se të tjerët e kanë caktuar, por se ka qenë vizion i kahershëm i Kosovës. Ajo ka thënë po ashtu se Kosova kërkon që pranimi ndërkombëtar të bëhet në bazë të meritave. Osmani ka lavdëruar qeverisjen e dy vjetëve të fundit duke thënë se ka bërë reforma në sundim të ligjit.
Për mesazh të dytë lidhur me momentumin e ri të Kosovës, ajo ka përmendur Marrëveshjen e Ohrit.
Sipas Osmanit, “nëse krahasohet me çfarëdo marrëveshje në 12 vjetët e shkuara të dialogut, kjo marrëveshje është bërë në mes të dy palëve kontraktuese, palëve të barabarta, shteteve të barabarta”.
“Neni i parë respekton parimin e integritetit territorial, sovranitetin e të tjera. Në të njëjtën kohë, neni 4 ofron qartë si e zeza mbi të bardhë që Serbia s’duhet ta pengojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Asnjë”, ka deklaruar Osmani duke shtuar se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme edhe pse “ka disa që mund të thonë se s’ka nënshkrime”.
Momentumi i ri për Kosovën, sipas Osmanit, lidhet me njohjet e Kosovës dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Është më pak për raportet bilaterale Kosovë-Serbi (marrëveshja), por më shumë për zotimin që morëm nga aleatët se do të ketë shtytje të re të fuqishme që Kosova të bëhet anëtare e merituar dhe e barabartë komunitetit ndërkombëtar, e sidomos në organizatat ku s’kemi ulëse”, ka thënë Osmani.
Ajo ka deklaruar se ka marrë fund koha kur Kosovës i bëhej thirrje të mos kërkonte njohje, duke shtuar se shtytja e re ka të bëjë që Kosovës ose t’i sigurohet njohja reciproke, ose pranimi në organizata ndërkombëtare.
Mesazh të tretë nga momentumi i ri, Osmani ka përmendur përkushtimin e ndërkombëtarëve që t’u përmbahen zotimeve, edhe nëse Serbia s’u përmbahet të vetave.
“Vuçiqi përdor lojërat e Putinit në veri”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po i përdor lojërat e homologut të tij rus, Vladimir Putin në veri të Kosovës për abuzimin me komunitetet pakicë.
Në panelin e diskutimit në Akademinë diplomatike të Vjenës dhe Institutit austriak për politikat evropiane dhe të sigurisë, Osmani ka thënë se Serbia bën presion te serbët në Kosovë nëpërmjet strukturave kriminale ilegale që i paguan dhe i mbështetë tash e rreth 10 vjet, që kur Vuçiqi është në pushtet.
“Mitrovica është një nga katër qytetet në atë që ne e quajmë veri të Kosovës, por në fakt vetëm 1/3 e serbëve jetojnë atje. 2/3 jeton gjetkë në jug, në lindje, në perëndim. Për të thjeshtuar atë që po ndodh në këto 4 komuna, për 23 vitet e fundit, veçanërisht për 10 vitet e fundit, rreth dhjetë vjet që Vuçiq është në pushtet, ata kanë përdorur librin e lojërave të Putinit për abuzimin me komunitetet pakicë. Ata i bëjnë presion serbëve deri në atë masë sa i hedhin strukturat e tyre kriminale ilegale për të cilat ata kanë paguar, duke i mbështetur për disa vite në veri të Kosovës. Njerëzit të cilët janë më së shumti të rrezikuar nga këto struktura kriminale ilegale të udhëhequra nga Vuçiqi politikisht, por në veprim nga disa persona që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë vetë serbët”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se Serbia ka abuzuar edhe me dialogun me Kosovën për disa vjet dhe kur nuk merr atë që dëshiron në tavolinën e bisedimeve, kërcënon se do të përdorë forcat e saj.
“Kur dialogu vazhdonte dhe ata kanë nënshkruar më 2013 që do të zhvesh të gjitha strukturat ilegale në veri, ajo vetëm se i fuqizoi edhe më shumë ato dhe përfshiu edhe më shumë elemente kriminale në to, gjë që i bëri edhe më të rrezikshme sepse po flasim për grup të organizuar transnacional. Po përdorin politikat e Serbisë gjithashtu për t’u pasuruar. Institucionet tona nuk pranojnë të bëjnë marrëveshje me kriminelët. Nuk bëjmë marrëveshje me këto struktura ilegale. Duhet t’i përgjigjen sundimit të ligjit. Ligji është njësoj për të gjithë, nuk ka rëndësi për nacionalitet. Kur Serbia nuk merr çfarë dëshiron në tavolinë, përdor dhunë. Kërcënojnë se do të përdorin forcat. I vendosin MIG-29 rusë në kufij”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, Rusia është një shtet që dëshiron të bëhet perandori, duke përdorur Serbinë përshkatërrimin e vlerave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Bëhet fjalë për një shtet që dëshiron të bëhet një perandori që quhet Rusi ajo që përdor një tjetër shtet si përfaqësim që quhet Serbia dhe dëshiron të shkatërrojë sistemet e bazuara në vlera siç janë BE-ja dhe NATO. Ende e kemi një fqinj në Ballkanin Perëndimor që i shikon vendet tjera që e rrethojnë si shtete të përkohshme të cilat do që t’i marrë. Të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor vërtetë dëshirojnë paqe”, është shprehur ajo.
E pyetur nga gazetarët e pranishëm për zbatimin e nenit 7 të aneksit të zbatimit të planit evropian, Osmani ka thënë se ky nen është për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në kuptimin e të drejtave të njeriut individualisht dhe jo në kuptimin e të drejtave të njeriut në formë kolektive.
“Këtu qëndron ndryshimi. Nuk është një vetëmenaxhim për territorin, por për komunitetin serb që nënkupton qytetarët”, ka thënë ajo.