Arbëri

Haziri: Kurti i ka vjellë të gjitha ato që i ka thënë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka ndryshuar qëndrim për gjithçka që ka thënë në opozitë.

Ish-kryetari i Gjilanit ka deklaruar se Kosova ka humbur shumë kohë me procesin e dialogut me Serbinë, e marrëveshja finale sipas tij, s’do të jetë pozitive. Ai ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së të enjten se kryeministri Albin Kurti aktualisht s’po flet për implementim të marrëveshjes e as për plan konkret, ndërsa Serbia sipas Hazirit, po amnistohet e s’po i kërkohet që ta njohë Kosovën.

“Serbia është amnistuar në disa çështje që s’e kemi pritur. Ky amnistim lidhet me marrëveshjen...Pos që është humbur momentumi për marrëveshje, po vazhdohet me një lojë publike, duke mbajtur pozicion me ego dhe egoizëm. Kurti tash ka nisur të flasë pa panele të analistëve dhe pa zëra të atyre që mund të jenë kritikë. Është pozicion defetist”, ka deklaruar Haziri.

Sipas nënkryetarit të partisë opozitare, takimi i Kosovës dhe Serbisë më 4 prill në Bruksel do të jetë tërësisht teknik, ndërsa ka shtuar se diskutimet po bëhen pa sqarime adekuate.

“Kosova do të shkaktojë ndryshime kushtetuese. Do të nisë me Asociacionin e do të vazhdojë me gjithçka tjetër... S’është ky Kurti i 14 shkurtit, është i transformuar. I ka vjellë të gjitha ato që i ka mbajtur, po flasim për një personalitet tjetër që po shpërfaqet. Është lakuriq para marrëveshjes. ‘Elefanti në dhomë’ është Asociacioni”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se nëse Gjykata Kushtetuese s’e kalon marrëveshjen për Asociacionin, nuk do të ndikojë në amnistimin e kryeministrit Kurti. Sipas tij, Kurtit në këtë situatë do t’i duhet të ofrojë një model të ri “që të krijojë një pushtet të tretë”.

“Do të garantojë sepse kjo marrëveshje e ka çuar Kosovën drejt shtetit të retë...Serbisë sot dhe disa vite nuk do t’i kërkohet njohja e Kosovës. Ajo s’e ka kusht më Kosovën, ka kushte të tjera deklarative. Kriza e parë është javën e ardhshme, brenda pak ditëve”, ka thënë Haziri.

Haziri ka shtuar se zgjedhjet në veri mund të jenë improvizime pasi situata atje ende është në bojkot.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka dështuar në menaxhimin e krizave në veri të Kosovës, ndërsa ka thënë se në institucionet qendrore po improvizohet demokracia, pasi sipas Hazirit, Kurti po i mbikëqyr edhe Presidencën edhe Kuvendin e Kosovës.

Haziri ka deklaruar se Kosova ka dështuar edhe në trajtimin e të pagjeturve dhe se Marrëveshja e Ohrit, siç është shprehur ai, e ka shmangur këtë çështje.