Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) tha se është shqetësues vendimi për pezullimin nga puna të Albert Prenkaj, nga Drejtoria e Departamentit për Amerikë.
Në reagim u tha se pezullimi është fushatë hakmarrëse nga menaxhmenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe i kundërligjshëm.
Në reagim, Shoqata tha se Prenkaj u pezullua nga puna edhe për shkak të pjesëmarrjes së aktivitete sindikale.
“Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD si reagim ndaj veprimeve kundërligjore dhe z. Prenkaj i autorizuar nga Këshilli ekzekutiv i Shoqatës, ishte drejtuar medieve në emër të protestuesve anëtarë të Shërbimit të Jashtëm. Shoqata Sindikale shpreh shqetësim për arsye se e drejta e organizimit të protestës paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe akte ligjore në fuqi dhe është e ndalueshme të cenohet e drejta e organizimit sindikal e aq më tepër të ketë reperkusione dhe persekutime për një aktivitet të tillë”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHSASHJ-s, Ministria e Jashtme ka bërë përpjekje që nëpërmjet procedurave disiplinore t’i cenojë të drejtat e zyrtarëve publikë për t’i shfrytëzuar mjetet juridike. Ajo përmendi edhe thyerjen e zyrës së Prenkajt, marrjen e arkivit dhe të vulës.
“Së fundi, Gjykata Themelore në Prishtinë Departamenti për Çështje Administrative ka vendosur që të anulohet vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës duke i dhënë të drejtë ambasadorit Prenkaj lidhur me kontestimin e tij ndaj Rregullores nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD, përmes së cilës është shuar pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të ushtruar me aktemërim nga z. Albert Prenkaj”, u tha tutje në reagim.
Shoqata tha ndër të tjera se persekutimi ka vazhduar edhe ndaj Agron Malokut, kryetar i këtij organizimi sindikal dhe të anëtarëve të tjerë për shkak të protestës.
“Shoqata Sindikale i bënë thirrje Avokatit të Popullit, Prokurorisë së Shtetit që të veprojnë në drejtim të hetimit të shkeljeve të së drejtës së organizimit sindikal nga ana e menaxhmentit të MPJD-së dhe të drejtës së shfrytëzimit të mjeteve juridike të anëtarëve të shërbimit të jashtëm të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, u tha në njoftim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.