Arbëri

Dy vetura të serbëve të Kosovës me targa RKS u dogjën në Zubin-Potok të mërkurën

Shefi i kabinetit të presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbrëmë në Zubin-Potok janë djegur dy vetura të serbëve të Kosovës që kishin targa RKS.

Blerim Vela në një postim në Twitter ka thënë se “strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë me frikësimin e serbëve të Kosovës”.

Ai ka postuar foto të veturave të djegura.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë me frikësimin e serbëve lokalë në Zubin Potok. Mbrëmë, dy vetura në pronë të serbëve të Kosovës janë djegur vetëm pasi kishin targa RKS. Sa i përket marrëveshjes së Brukselit, targat e Kosovës janë targat e vetme të ligjshme në gjithë Kosovën”, ka shkruar Vela në Twitter.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. 

Raporti i Policisë:

Më 30.03.2023, rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara.

Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit.

Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla, shtimin e patrullimeve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.