Kryesuesi i Bordit të Bankës Qendrore, Bashkim Nurboja, ka marrë përkohësisht postin e guvernatorit të BQK-së, bëhet e ditur në një komunikatë për media nga ky institucion të mërkurën.
Sipas njoftimit, Nurboja ka marrë këtë rol për shkak të përfundimit të mandatit të guvernatorit dhe mungesës së guvernatorit.
Një gjë e tillë parashihet edhe me Ligjin për BQK-në.
Dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së, kanë marrë përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë “me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
Nurboja u zgjodh kryesues i Bordit në fillim të shkurtit.
Një ditë më parë, Komisioni për Buxhet s’pati kuorum për të vendosur që t’i rekomandojë Kuvendit përzgjedhjen e guvernatorit të ri. Si pasojë, procesi është duke u vonuar.
Njoftimin e BQK-së, që Nurboja ka marrë rolin e guvernatorit, ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka parë si mesazh të keq për tregun financiar. Ai ka thënë se situata aktuale në BQK është “tmerr” dhe “dëm për ekonominë”.
“Nga sot, ushtruesi i detyrës së Zëvendësguvernatorit bëhet ushtrues detyre i Guvernatorit. Ky marifet nuk është parë në 20 vjet. Këta mashtrues e të paaftë, me tendencë për të kapur gjithçka, gjatë tërë vitit 2022 e kanë bojkotuar zgjedhjen e zëvendësguvernatorit. Ndërkaq, tani e kanë dëmtuar edhe procesin e zgiedhjes së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes. Kjo ka krijuar situatë të jashtëzakonshme, në të cilën vetë Kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e Guvernatorit. Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, ka shkruar në Facebook, deputeti i LDK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.