Arbëri

Kica-Xhelili: Haxhiu ta respektojë demokracinë ose të zhvendoset në një shtet autokratik si ideologjia e saj

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se ka ideologji autokratike.

Kica-Xhelili ka reaguar ndaj deklaratave të Haxhiut pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputetja e LDK-së ka thënë se dikush duhet t’ia kujtojë ministres që pushtetet janë të ndara dhe se “nuk mund ta kontrollojë gjyqësorin”.

“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre e DREJTËSISË – e jo ministre e vazhdueshme e fushatës linçuese. Se sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion. Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentojë përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo më tej ka theksuar se Rekomandimi i Këshillit të Evropës thotë se pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ nuk mund të japin kritika që minojnë pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor.

“Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron. Paragrafi 18 i Rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit [CM/Rec(2010)12]: Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar”, ka shkruar ajo.