Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar të martën raportin vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2022, gjetjet e së cilit kanë rezultuar me rritje të numrit të sulmeve ndaj gazetarëve në vend.
Siç ka njoftuar AGK-ja, raporti që është hartuar nga hulumtuesja, Getoarbë Mulliqi-Bojaj, në kuadër të platformës rajonale Safe Journalists dhe përshkruan gjerësisht situatën e legjislacionit dhe çështjet socio-ekonomike e politike në raport me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.
“Sipas gjetjeve të këtij raporti, gjendja e sigurisë së gazetarëve vazhdon të jetë e rëndë, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje nga 29 në vitin 2021, ka shkuar në 33 në vitin 2022, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky asociacion.
Përveç Mulliqi-Bojajt, gjetjet e raportit janë prezantuar nga eksperti ligjor i raportit, Yll Zekaj, si dhe kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.
“Si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, bashkëpunim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës me mediat, si dhe të krijohet sa më shpejt Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave nga KGJK-ja për rastet e gazetarëve”, është thënë më tej në komunikatë.