Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, tani gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka thënë se në Kosovë duhet të instalohet kultura e pranimit të vendimeve të instancave të fundit gjyqësore.
Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, kur është pyetur për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila vendimin e Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) e quajti absurd, Daka ka theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet të pranohen ashtu siç janë.
“Mua si gjyqtare nuk më lejohet që t’i komentojë as vendimet e mia gjyqësore e as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, gjithsesi duhet të instalohet një kulturë që vendimet të cilat merren nga instancat e fundit të pranohen ashtu siç janë, sepse në gjykatë janë gjithmonë dy palë, dhe gjithmonë njërës palë nuk i pëlqen vendimi, dhe duhet të instalohet një kulturë që të respektohen vendimet e institucioneve”, është shprehur Daka.
Ajo ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë fjalën e fundit për Ligjin KPK-në. Sipas saj Kushtetuesja është institucioni i vetëm dhe i fundit, i cili ka kompetencë që të bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së secilit ligj dhe të të gjitha akteve nënligjore.
“Përderisa ka gjetur se i tërë ligji është në shpërputhje më kushtetutën atëherë me siguri që ai ligj ka pasur probleme të konsiderueshme dhe se duhet të revidohen dhe të shikohet se ku janë gabimet dhe ku mund të bëhen përmirësimet”, ka theksuar Daka.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, javën e kaluar e shpalli të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.
E pas vendimit të Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quajti absurd këtë vendim. Ajo, në një konferencë për medie deklaroi se Kushtetuesja ka injoruar në tërësi të dy opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë ligj, duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës, por edhe duke penguar reformën në drejtësi.
LDK-ja dhe PDK-ja në muajin korrik të vitit të kaluar e kishin dorëzuar në Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vlerësim.