Arbëri

Daka: Derisa ka kandidatë zgjedhjet në veri mund të mbahen, në pikëpyetje legjitimiteti i tyre

Valdete Daka-KQZ

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se përderisa ka kandidatë, ligjërisht zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës, do të mund të mbahet.

Por Daka në emisioni “60 Minuta” të KTV-së, ka theksuar se me mospjesëmarrjen e Listës Serbe, është në pikëpyetje pranueshmëria dhe legjitimiteti i atyre zgjedhjeve.

“Derisa ka kandidatë, zgjedhjet mund të mbahen, por është në pikëpyetje se sa do të mund të jenë të pranueshme e sa do të kenë legjitimitet ato zgjedhje pa kandidatë të një shumice aktuale e cila jeton në atë pjesë të Kosovës, por teknikisht nëse ka siguri dhe përmbushen procedurat e tjera ato zgjedhje mund të mbahen”, ka theksuar Daka.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Këto zgjedhje janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas Dakës tani ligjërisht të gjitha afatet kanë përfunduar dhe se Lista Serbe, e cila nga vitit 2013 merr mbi 90 për qind të votave në këto komuna, nuk do të mund të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Ajo ka thënë se probleme me organizimin e zgjedhjeve në veri ka pasur vazhdimisht dhe se vetëm pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel në vitin 2013, zgjedhjet atje janë pranuar dhe kanë prodhuar rezultat.

Serbe është ajo e cila e udhëheq pjesën veriore të Kosovës dhe e cila i ka nën kontroll votuesit të cilat janë atje me shumicë”, është shprehur Daka.

Sipas saj do të ishte shumë më mirë që në zgjedhjet në veti të merrnin pjesë të gjithë.

“Do të ishte shumë më mirë që ashtu si janë mbajtur që nga vitit 2013 zgjedhjet në pjesën veriore, të jenë pjesëmarrës të gjithë dhe të ketë mirëkuptim dhe bashkëpunim dhe të kenë qasje të gjithë ata që jetojnë në atë pjesë por gjithsesi mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Daka, duke shtuar se nëse palët pajtohen dhe askush nuk e konteston, zgjedhjet do të mund të shtyhen edhe njëherë.

Ajo ka thënë se me aq sa ka parë në media KQZ-ja është duke i bërë dhe i ka bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat ne veri, të cilat sipas saj, ka mundur t’i bëjë edhe pa qenë prezente në veri.

Por sipas Dakës është një çështje tjetër kur afrohen ditët kur duhet të dërgohet materiali zgjedhor dhe të përgatiten vendvotimet.

Ajo ka thënë se nëse ka bojkot e trazira do të jetë e vështirë që vendvotimet të hapen.