Arbëri

Serbët flasin për bojkot e tensione, Kurti i fton për pjesëmarrje në zgjedhje

Një ditë pasi vendet e QUINT-it i thanë “po” organizimit të zgjedhjeve në veri edhe pa Listën Serbe, qytetarë serbë kanë thënë se nuk do të dalin për të votuar dhe nuk e kanë përjashtuar mundësinë e tensioneve. E kryeministri Kurti theksoi se pjesëmarrja e jo bojkoti i kontribuon edhe zhvillimit të demokracisë, e edhe adresimit të nevojave të komunitetit

Serbë të veriut kanë thënë se nuk do të dalin në zgjedhjet e 23 prillit, as pas deklaratës së një dite më parë të vendeve të QUINT-it se ato duhet të mbahen, pavarësisht kundërshtimit të Listës Serbe.

“Jo, nuk do të dal”, ka thënë të shtunën njëri nga qytetarët e Mitrovicës Veriore, të banuar kryesisht me serbë.

Edhe një qytetar tjetër është shprehur se nuk mendon se duhet të ketë zgjedhje.

“Nuk do të dal kurrë. Nuk mund të mbahen zgjedhje pa Listën Serbe. Pa të zotin e shtëpisë”, ka thënë ai. “Nuk do të ketë zgjedhje deri sa të zgjidhet pyetja e komunave serbe në veri”.

Për zgjedhjet e prillit, janë certifikuar disa kandidatë, por shumica janë shqiptarë.

Në partinë kryesore të serbëve të Kosovës, Listën Serbe, kanë refuzuar të flasin pas deklaratës së QUINT-it.

Por, paraprakisht kanë theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.

Ndërkaq në Iniciativën qytetare “Mbijetesa Serbe” nuk shprehën pritjen që procesi zgjedhor të prodhojë institucione legjitime në veri.

Aleksandër Arsenijeviq, nga Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”, ka theksuar se shtetet e QUINT-it kanë dhënë një mesazh të qartë që edhe pa Listën Serbe, Kosova ka përkrahje të fortë që këto zgjedhje të organizohen. Por, ka theksuar se shkaku i situatës së krijuar mund të ketë përsëritje të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet që mbahen vetëm me një komunitet, kryesisht shqiptar, që do të jetë me shumicë në dalje, mendoj se nuk do të kenë legjitimitet. Nuk do të kenë legjitimitet ata përfaqësues. Me gjasë, për këtë arsye pas zgjedhjeve të 23 prillit do të krijohen kushte për zgjedhje të reja në veri”, është shprehur Arsenijeviq.

Megjithatë, ka serbë që i janë rrekur garës. Mes tyre është edhe Slaxhana Pantiq, që është kandidate për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Pas një pritjeje që kryeministri Albin Kurti ia ka bërë asaj të shtunën, ka thënë se zgjedhjet e lira dhe të drejta e pluralizmi politik janë parakushte të demokracisë.

“Në zgjedhjet e prillit të këtij viti në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, qytetarët kanë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur e të jenë pjesë e vendimmarrjes. Kështu, qytetarët tregojnë fuqinë e tyre brenda një shteti demokratik si Kosova”, ka thënë Kurti. “Pjesëmarrja, e jo bojkoti i kontribuon edhe zhvillimit të demokracisë, edhe adresimit të nevojave të komunitetit”.

Ndërsa, analisti serb, Verolub Petroniq, ka shprehur brengën për tensione, pasi ka thënë se pa Listën Serbe nuk do të ketë serbë që dalin për të votuar.

“Mendoj se ka gjasa që mund të ketë tensione një ditë para zgjedhjeve, apo në ditën e zgjedhjeve. Problemi është edhe te mundësia teknike – a do të mund të ketë vendvotime në shkolla, apo të mbahen zgjedhjet ashtu siç duhet, me mbikëqyrje të vëzhguesve”, është shprehur Petroniq.

Ai ka thënë se vetë deklarata e shteteve të QUINT-it do të thotë se e shohin Listën Serbe si akter politik serioz pa të cilin komuniteti serb nuk mundet të organizohet në veri.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, qenë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Pas kësaj dhe pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb dhe se Lista Serbe nuk ka aplikuar me kandidaturat e saj.

Që nga viti 2013, kur u formua Lista Serbe me mbështetjen e Beogradit, pothuajse në të gjitha zgjedhjet ka marrë mbi 90 për qind të votave të votuesve nga radhët e komunitetit serb.

Mirëpo, misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian, në raportet e tij pas zgjedhjeve, rregullisht ka konstatuar se ky subjekt politik “e ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se janë regjistruar raste të frikësimit, përkatësisht, se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e Listës Serbe.