Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se sa herë i kontestojnë vendimet e Ministrisë së Drejtësisë në gjykata të rregullta apo atë kushtetuese, atëherë e fitojnë rastin. Ka kritikuar se si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po mundohet ta kontestojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për KPK-në.
Në një konferencë për media të shtunën, Tahiri ka thënë se të gjitha iniciativat e Qeverisë në drejtësi nuk prodhojnë asgjë konkrete ose janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sa herë e çojmë Albulenën në Gjykatë, si të rregullt apo kushtetuese, e fitojmë rastin. Gjitha iniciativat e tyre tashmë nuk prodhojnë asgjë konkrete apo efektive në terren. Ose janë në kundërshtim me Kushtetuesen, ose janë aq të dobëta sa nuk mbërrin efekte për t’i mundësuar qasje më të lehtë të qytetarëve në drejtësi”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së e ka quajtur fatkeqësi deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila kritikoi Kushtetuesen që e ka cilësuar si jokushtetues pikën që Avokati i Popullit nuk ka të drejtë të delegojë anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Tahiri ka thënë se është mjerim i madh që po mundohet ta arsyetojë një gjë të tillë.
“Është fatkeqësi me dëgju prej një ministre për rëndësinë e Avokatit e Popullit në kuadër të KPK-së siç e kishte caktuar me ligj. Është një ligj që e kemi ataku ne. Avokati i Popullit është personi i cili mbron të drejtat e qytetarëve të Kosovës që mund të shkelen nga autoritetet shtetërore, që mund të shkelen nga KPK-ja apo nga Zyra e Prokurorit të Shteti. Si mund të jetë personi i mandatuar me Kushtetutë për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut nga autoritetet publike, si mund të delegojë ai anëtar të një institucioni kaq të madh. Është konflikt i pastër interesi. Mundohet ta arsyetojë këtë është mjerim i madh”, ka thënë ai.
Tahiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka treguar se kryeministri Albin Kurti nuk ka arritur ta përvetësojë një institucion të rëndësishëm siç është KPK-ja. Tahiri ka akuzuar Kurtin se ka tentuar ta vendosë nën kthetra KPK-në, por se Kushtetuesja nuk e lejoi.
“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe kemi kërkuar nga ministrja e Drejtësisë dhe kryeministri që ky projektligj të tërhiqet sepse si i tillë padyshim që nuk i përmbush standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kalojë. Mbrëmë Kushtetuesja ka bërë publike që këtë ligj e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti ta vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK-ja”, ka thënë ai.
Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.
“Të ndodhte një miratim i një ligji të tillë, do të ishte një përmbysje apo një kapje e fuqishme e KPK-së që sot mund të jetë nga Albin Kurti e nesër nga një mazhorancë tjetër. Është një ligj që e cenon rëndë pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky ligj nuk e ka pasur përkrahjen as të partnerëve tanë ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për mbipopullim të stafit politik, të cilin e ka quajtur të padijshëm.
“Ministria e Drejtësisë është e mbipopulluar prej një stafi politik që u ka dhënë mandat Albin Kurti dhe që janë shumë të padijshëm”, është shprehur Tahiri.