Arbëri

ZRRE: Subvencionet e Qeverisë të pamjaftueshme që të ndalet shtrenjtimi i rrymës

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se mjetet e ndara nga Qeveria si subvencionim për energjinë elektrike për këtë vit nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndalur shtrenjtimin e energjisë elektrike, që parashihet të ndodhë për rreth 15 për qind nga 1 prilli.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Fejzullahu ka thënë se Qeveria ka ndarë rreth 35 milionë euro, por se këto mjete nuk kanë qenë të mjaftueshme që të mos ketë rritje.

Ai ka shtuar se nevojiten edhe 50 milionë euro shtesë për të reflektuar koston e sistemit për furnizim me energji elektrike.

“Qeveria ka ndarë subvencione edhe për këtë vit që është mbi 35 milionë euro mirëpo këto mjete nuk kanë qenë të mjaftueshme që mos të kemi rritje. Kemi thënë që ato mjete të cila janë subvencionuar deri më datë 15 mars janë reflektuar në të hyrat e lejuara maksimale, po përkundër tyre ekziston një kosto shtesë rreth 50 milionë euro që janë të nevojshme për të reflektuar koston e sistemit për furnizim me energji elektrike”, ka thënë ai.

Sipas tij, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kostos së furnizimit me rrymë janë çmimet e importit, norma e inflacionit, si dhe parashihet të ketë investime në termocentralin Kosova B.

“Komponentët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kostos së furnizimit me energji elektrike janë çmimet e importit edhe pse nuk janë të larta si vitin e kaluar, mirëpo nëse e krahasojmë me 10 vitet e fundit kur çmimi i importit ka qenë 50-60 euro, në këto dy vjet çmimi i importit ka qenë 150 euro. Çmimi i importit për vitin e ardhshëm pritet të jetë 150 deri në 160 euro për megavat. Kjo është komponentë kryesore e ndikimit në rritjen e kërkesës për rritje të të hyrave të lejuara maksimale për KESCO-n, ku përfshin të gjitha kërkesat edhe për KEDS-in edhe për KOSTT-in. Komponenta kryesore përveç çmimeve të importit është edhe norma e inflacionit e cila këtë vit është mbi 8 për qind. Po ashtu edhe këtë vit është paraparë që të kemi investime në termocentralin Kosova B”, ka thënë ai.

Fejzullahu ka thënë se pritet që mbi 80 milionë euro do të investohen, një pjesë e të cilave do të jetë grand nga Komisioni Evropian dhe një pjesë tjetër do të jenë investime vetanake nga ana e KEK-ut.

Ai më tej ka theksuar se këtë herë nuk ka pasur komente nga partitë politike dhe nga shoqëria civile.

“Kemi pasur komente nga Qeveria e Kosovës, Zyra e Presidencës, KEK, KOSTT, KEDS, KESCO, fatkeqësisht nuk kemi pasur shumë komente prej partive politike, asnjë prej partive politike nuk kanë dorëzuar komente, as nga shoqëria civile, ka qenë një sindikatë e punëtorëve të KEDS-it dhe KESCO-s që kanë kërkuar rritje të pagave të personelit që punojnë aty. Meqenëse tash janë vendosur të hyrat e lejuara maksimale, KESCO, KEDS-i dhe KOSTT-i e kanë për obligim konform legjislacionit në fuqi që brenda një jave t’i dorëzojnë aplikacionet për tarifa që do të fillojnë të implementohen nga data 1 prill”, ka thënë ai.

Sipas ZRRE-së, Fejzullahu ka thënë se propozimi është që të ketë rritje te të gjithë kategoritë e konsumatorëve, edhe biznesorë edhe shtëpiakë.