Arbëri

Kurti paraqet si sukses të Qeverisë ndërtimin e 4 çerdheve, kishte premtuar 160

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës që është mbajtur të mërkurën, kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim me rastin e dyvjetorit të Qeverisë.

Në këtë fjalim ai ka numëruar sfidat me të cilat është përballur Qeveria që nga marrja e mandatit, duke përmendur pandeminë e COVID-19, luftën në Ukrainë e krizën energjetik e ekonomike. Faj u ka vënë edhe qeverive të kaluara për siç ka thënë shkurtpamësi në politikat ekonomike.

Përkundër këtyre sfidave, sipas tij, Qeveria e Kosovës ka shënuar shumë suksese. Ndër sukseset ka përmendur edhe disa në fushën e arsimit, përfshirë përfundimin e punimeve në katër çerdhe.

Por Kurti kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve brenda mandatit.

Gjatë përurimit të çerdhes së parë në këtë mandat që u bë në qytetin e Prizrenit në qershor të vitit 2021, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se në katër vjetët e ardhshëm do të hapen 160 çerdhe të reja.

“Në programin tonë qeveritar ne u kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, duke ndarë 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2-vjeçare dhe jemi zotuar se në katër vjetët e ardhshëm do të hapim 160 çerdhe të reja”, pati theksuar Kurti.

Sipas statistikave më pak se 7 për qind e fëmijëve të moshës deri në pesë vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Mospjesëmarrja në edukimin e hershëm ishte përmendur edhe në Raportin e Progresit, si një nga rrethanat që ka ndikuar në rezultatet e dobëta që kanë treguar nxënësit kosovarë në testin ndërkombëtar PISA.