Arbëri

Tensione në Odën e Avokatëve pas dorëheqjes së Besim Currit, incident mes dy anëtarëve

Foto: Koha

Foto: Arkiv/Ilustrim

Mbledhja e 235-të e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) të martën, u përcoll me tensione të shumta, sidomos kur u diskutua për dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv Besim Curri, që ndodhi pas publikimit të hulumtimit nga “Betimi për Drejtësi” me titull “Mashtrimet në emër të avokatëve”.

Në një pauzë të mbledhjes, ndodhi një incident mes dy anëtarëve të Këshillit Drejtues – kryetarit të degës regjionale të Prishtinës, Nasuf Hasani dhe kryetarit të degës regjionale të Gjakovës, Ergjyment Barbullushi.

Hasani e ka konfirmuar se ka ndodhur incidenti me Barbullushin, pasi sipas tij ky i fundit e ka sharë. I njëjti tha se gjendet në polici.

“Po jam në polici. Po, më ka sharë Ergjyment Barbullushi 3-4 herë, më ka sharë me nënë për shkak të dorëheqjes të drejtorit ekzekutiv. Ai më ka sha me nënë, domëthënë kemi dashur të kacafyteshim, ka ndërhyrë polici, kaq”, ka thënë Hasani.

Në anën tjetër, Barbullushi, ka thënë se nuk mund të diskutojë asgjë, ngase ia ka ndaluar policia.

“Nuk mund të diskutoj asgjë për shkak se policia më ka ndaluar, po më vjen keq. Përndryshe kam qejf të kontribuoj, të bisedoj, të jap informacion. Janë duke u bërë procedura hetimore”, tha Barbullushi.

Ndryshe, mbledhja e Këshillit Drejtues të OAK-së kishte 9 pika në rend dite. Ndër to, ishte edhe miratimi i raportit financiar, për të cilin kishte disa vërejtje, por u miratua me shumicë votash.

Ndërsa, kur u diskutua lidhur me dorëheqjen e drejtori ekzekutiv të OAK-së, Besim Curri, njëri nga anëtarët tha se dorëheqja konsiderohet si ndërprerje e njëanshme e marrëdhënies së punës.

Aty u theksua se pas hulumtimit duhet të merren urgjentisht hapa nga Këshilli Drejtues, për veprime konkrete për ta luftuar “kuaci-avokatinë”.

Kurse, kryetari i Odës, Behar Ejupi tha se në bazë të dorëheqjes, kuptohet arsyeja pse ka dhënë dorëheqje Curri.

“Në bazë të dorëheqjes së drejtorit, kuptohet pse jep dorëheqje. Unë në asnjë moment, në asnjë rrethanë kurrë nuk do t’i mbajë anën asaj që e dëmton imazhin e Odës, Oda është mbi gjithë ne dhe mbi mua si kryetar. Në rastin konkret, ne kemi një dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv, kjo dorëheqje ka ardhur si rezultat i asaj që unë e kam thirrur në takim”, ka thënë ai. /BetimipërDrejtësi