Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një model i mirë për zgjidhjen e konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorno-Karabakhut.
Në një konferencë me ministrin e Jashtëm armen, Lavrovi shprehu mbështetjen për qëndrimin e kryeministrit armen Nikol Pashinyan për nevojën e dialogut midis Nagorno-Karabakhut dhe Azerbajxhanit për zgjidhje paqësore të konfliktit.
Lavrov theksoi rëndësinë e sigurimit të cilësisë së çdo marrëveshjeje të arritur, duke përmendur shembullin e marrëveshjeve të Minskut në Ukrainë, sipas të cilave banorët rusishtfolës të pjesës lindore të Ukrainës duhet të kenë të drejtën në gjuhën e tyre amtare, për të arsimuar fëmijët në gjuhën e tyre amtare, të jetojnë dhe punojnë në gjuhën amtare, të ruajnë kulturën, fenë dhe marrëdhëniet e tjera me bashkatdhetarët e tyre.
“Përafërsisht të njëjtat të drejta i parasheh edhe marrëveshja e nënshkruar mes Beogradit dhe Prishtinës 10 vjet më parë, në marrëveshjen për formimin e ‘organeve të Asoacionit të komunave serbe në Kosovë’. Mendoj se populli i Karabakhut ka nevojë për një grup të tillë të drejtash”, ka thënë Lavrov.
Armenia dhe Azerbajxhani, si vende të ish-bllokut sovjetik në Kaukazin jugor, luftuan që nga vitet 1990-të për Nagorno-Karabakhun, territor azerbajxhas, por që është i populluar nga armenët etnikë, të mbështetur nga Armenia.