Arbëri

Nxënësit mësojnë për menaxhimin e parasë dhe kulturën e të kursyerit

Në Javën Ndërkombëtare të Parasë, nxënësit mësuan për kulturën e menaxhimit të parasë dhe për kulturën e të kursyerit. Mësimdhënësit thonë se gjeneratat e reja janë më të fokusuara në gjërat materiale. E sipas sociologëve, edukimi joadekuat i fëmijëve mbi rëndësinë e parasë mund të çojë deri në depresionin e tyre

Këta nxënës të klasës së katërt që tani kanë filluar të mendojnë se si të fitojnë para dhe gjërat që do t’i blejnë me to.

Rina Shabani, nxënëse në klasën e katërt në shkollën “Elena Gjika” në kryeqytet, ka treguar për vlerën që paraja ka për të.

"Për mua paret janë shumë të rëndësishme, sepse unë paret mundem t'i ruaj për të ardhmen time, për fëmijët e mi në të ardhmen ose mundem të blej gjëra të nevojshme për familjen time", ka theksuar Shabani.

Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, të hënën, nxënësit mësuan për kulturën e menaxhimit të saj nga anëtarë të Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Të rinjtë treguan se kursimin e shohin të rëndësishëm për të pasur jetë të dinjitetshme.

“Sot kam mësuar për bankat dhe paret që duhet t’i kursejmë, edhe duhet të jemi sa më të kujdesshëm, edhe kam mësuar se duhet me i kursy sa më shumë paret për gjërat që na nevojiten”, ka theksuar Buna Kajtazi, nxënëse në shkollën “Elena Gjika”.

Për rëndësinë e kursimeve ka folur edhe nxënësja Sumea Kurtishi.

“Paret i shoh shumë të rëndësishme, nëse nuk i ruan paret, mund të mbetesh pa pare, e të mbetesh pa shtëpi, e mos të kesh ushqim e gjëra të rëndësishme”, ka theksuar ajo.

Shqipe Vrajolli-Krasniqi, e cila ka shtatë vjet që është e angazhuar në sistemin arsimor si mësimdhënëse, tha se ka vërejtur që gjeneratat e reja janë më të fokusuara në gjërat materiale.

“Ne si mësimdhënës mundohemi vazhdimisht t'u tregojmë atyre se si duhet të kursejmë, cilat gjëra duhet patjetër t'i blejmë, por edhe kur duhet t'i kuptojnë prindërit në shumë situata se ndoshta fëmijët kanë kërkesa të shumta pasi edhe prindërit mund të ndihen keq”, është shprehur Vrajolli-Krasniqi.

E sipas sociologes Erisa Hajrizi, edukimi joadekuat i fëmijëve mbi rëndësinë e parasë mund të çojë deri në fazë depresive.

“Shoqëria sigurisht që do t'i krijojë një presion shumë të madh fëmijës prej fillimit kur rritet, kur e vesh me idenë e parasë, ai fëmijë gjithmonë do të rritet me një stres, me një ankth për menaxhimin e parasë dhe vlerën e parasë, kjo në një mënyrë apo tjetër do të krijojë që një fëmijë të ketë tendenca të rritet sa më shpejt që të krijojë atë të ardhme”, ka thënë Hajrizi.

Java Ndërkombëtare e Parasë, e cila shënohet për çdo vit në muajin mars, ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për paranë dhe kulturën e të kursyerit.