Zyrtari për komunikim në institutin “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi, ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, është jashtë asaj që ata kanë promovuar si karrierë të tyre politike.
Ai të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, ka theksuar se marrëveshja nuk i plotëson as pritshmëritë e Kosovës e as ato të Serbisë.
“Mendoj që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, nga fakti që e kanë pranuar këtë marrëveshje e cila është jashtë asaj që ata e kanë promovuar si karrierë politike, edhe njëri e edhe tjetri, janë ngjitur në pushtet me qëndrime të kundërta nga ato që po i pranojnë sot, megjithatë ajo flet se ata e kanë pranuar që urgjenca e perëndimit dhe interesat gjeostrategjike të perëndimit janë më prioritare dhe mendoj që ata e kanë kuptuar këtë situatë kur e kanë pranuar marrëveshjen”, është shprehur Kamberi.
Ai ka thënë se marrëveshja është në kundërshtim me kauzat dhe qëndrimet e tyre ndër vite.
“Vuçiqi nuk është ngjitur në pushtet duke thënë se çka do të mund të veprojë për ta sovranizuar më shumë Kosovën e jo duke e bërë të kundërtën, edhe Kurti është ngjitur në pushtet duke thënë që nuk do ta pranojë asnjë lloj asociacioni, dhe që të dy kanë bërë kompromise”, ka theksuar Kamberi, duke shtuar se Kurti e Vuçiqi e kanë kuptuar që në rrethanat aktuale nuk kanë shumë hapësirë manovruese”, ka deklaruar Kamberi.
Kamberi: Zbatimi apo moszbatimi i marrëveshjes varet me shumë nga ndërmjetësuesit sesa nga palët
Ai ka deklaruar se po sheh një përfshirje më të madhe të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në procesin e dialogut.
Sipas tij pasi që palët në Ohër kanë deklaruar se janë pajtuar me marrëveshjen, tani pothuajse topi është në anën e ndërmjetësuesve.
“Siç e pamë edhe sot në deklaratat e ambasadorit amerikan që tha se e ftoi Qeverinë e Kosovës që të bashkëpunojë me neve për draft-statutin e Asociacionit, po duket që çdo herë e më shumë po e merr në dorë Bashkimi Evropian dhe zbatimi apo moszbatimi i marrëveshjes do të varet më shumë nga ndërmjetësuesit sesa nga vetë palët realisht”, ka theksuar Kamberi.
“Siç po duke edhe draft-statuti për Asociacioni çdo herë e më shumë do të jetë në dorë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përderisa ishte paraparë që të iniciohet vetëm nga institucionet e Kosovës, dhe kjo flet që meqë ata po kërkojnë që të jenë çdo herë e më shumë të përfshirë në draft-statut, kjo flet që çdo herë e më shumë po shkojmë në një proces i cili po kapet në dorë nga BE-ja, e veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.
Kamberi ka folur edhe për nenin 7 të marrëveshjes.
“Çështja themelore e dykuptimësisë që po ngritët është ajo çështja e termit të ‘vetëmenaxhimit’ te nenit 7 dhe i cili e kap gjerësisht se çfarë do të mund të nënkuptonte ai nga aspekti i të drejtave dhe të një lloj autonomie që do ta përfitonin serbët e Kosovës dhe kjo do të jetë edhe sfida në të ardhmen e përpilimit të draft-statutit dhe për të kuptuar se çfarë shkalle të të drejtave dhe të kompetencave do të ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka theksuar ai.
Sipas tij ajo që tashmë dihet është që serbëve në Kosovës po u jepet një status më i veçantë sesa i komuniteteve të tjera joshumicë.
“Jemi në një situatë kur po flasim që serbëve të Kosovës të ju jepet një status me i veçantë sesa i komuniteteve të tjera joshumicë në Kosovë, serbët do të ngritën nga pozita e tyre juridike në raport me komunitetet e tjera”, ka deklaruar ai.
Por sipas tij as BE-ja nuk është e interesuar që në Ballkan të ketë një Bosnje të dytë.
Ai ka folur edhe për faktin që dakordimi i arritur nuk është nënshkruar.
“Me firmosje dhe nënshkrime do të kishte më shumë garanci për çështjen e zbatimit të marrëveshjes sepse do të nënkuptonte që do të merreshin edhe obligime ligjore e normative”, është shprehur Kamberi.
Sipas tij për nënshkrim nuk kanë qenë të interesuar shumë as ndërmjetësuesit.
“Nga ato që e pamë edhe nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, do të thotë për ata ishe më me rëndësi finalizimi i marrëveshjes për planin e zbatimit sesa nënshkrimi, pala kosovare dhe kryeministrit Kurti kanë insistuar me nënshkrim, e presidenti i Serbisë ka pasur rezistencë ndaj kësaj”,
Ai ka folur edhe për dy arsyet, që sipas tij presidenti i Serbisë nuk deshi ta nënshkruante marrëveshjen. “Njëra është që e tha edhe në konfer4encë për shtyp, për çështje ligjore dhe kushtetuese, që nuk do të krijojë përshtypjen që po bën marrëveshje ndërkombëtare me Kosovë, por ajo që mendoj se ishte më e rëndësishme për të, ishte aspekti politik, që nuk donte që në opinionin e brendshëm serb të dëshmonte që po nënshkruante një marrëveshje me Kosovës në mënyrë bilaterale për çështje të normalizimit, e nga ana tjetër edhe për çështje të raporteve të tij me Rusinë që donte ta riaktivizonte marrëveshjen në raport me Rusinë e të mos duket se po rrëshqet drejt perëndimit dhe Bashkimit Evropian.