Arbëri

Palokaj për aneksin: Shumë gjysmak, i hapur për interpretim, e kundërta nga ajo që paralajmëroi BE-ja

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se të shtunën mbrëma pas takimit 12 orësh në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, janë parë interpretime të ndryshme, sidomos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Palokaj ka deklaruar se pjesa më e rëndësishme e diskutimeve pas takimit, ajo e zbatimit të pikës 7 të planit evropian, për të krijuar nivel të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë, vazhdohet me fjalinë “sipas obligimeve relevante të marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut”.

“Dihet qartë se është marrëveshja rreth asociacionit. Në fund të aneksit, aneksi pak më i gjatë e i qartë. Në aneks thuhet në fund se moszbatimi i obligimeve do të ketë pasoja për rrugëtimin evropian por edhe për ndihmën financiare. Ekziston vërejtja e sanksioneve. Nuk është sanksion i vogël. Është gjë që Serbia e merr më seriozisht se kërcënimet tjera”, ka thënë ai.

Sipas Palokajt, aneksi është shumë gjysmak dhe i hapur për interpretime.

“Në rastin e Kosovës bëhet obliguese në Komisionin për Normalizim. Edhe në rastin e Kosovës si të them nuk do të ketë ndonjë presion formal. Si të shpjegojmë se kjo është miratuar përmes deklaratës së Borrellit? Çka tash duhet Kuvendi i Kosovës të miratojë vendim për të miratuar si ligj deklaratën e Borrellit? Nuk shoh ndonjë mundësi që Kuvendi të bëjë gjë të tillë. Duhet të ketë diskutime gjithsesi. Është shumë gjysmake, e hapur për interpretime. Krejt e kundërta nga ajo që ka paralajmëruar BE-ja se duhet të jetë gjithçka shumë konkrete e qartë që të mos evitohet e interpretohet mënyra të ndryshme”, është shprehur ai.

Për shkak të refuzimit të Serbisë për të nënshkruar të shtunën, Palokaj ka thënë se duhet shkuar me një rrugë më të komplikuar, që siç thotë ai, është më shumë politike sesa ligjore.

“Mënyra formale e të bërit të këtij aneksi obligues është shumë jashtë kontrollit të them ashtu. Shembull në rastin e Serbisë thuhet se do të bëhet pjesë përbërëse e kapitullit te 35-të të kornizës negociuese të Serbisë. Korniza të negociatave të anëtarësimit që tash për më shumë se një vit janë të bllokuar. Secilën nga 27 shtete mund të bllokojnë siç e bllokuan Maqedoninë. Është e vështirë për BE-në që përmes kësaj ta kushtëzojnë Serbinë. Në rastin e Kosovës është shumë disproporcionale nëse krahasohet me Serbinë, sepse Kosova nuk ka negociatë, kornizës negociuese. Kur të ketë Kosova kornizë negociuese, do të jetë ndoshta një vit pasi ta fitojë statusin e kandidatit. E kush e di se kur Kosova do ta fitojë statusin e kandidatit”, ka thënë ai.

Palokaj më tej ka shtuar se renditja e pikave në marrëveshje nuk është në bazë prioriteteve dhe të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

“Këtu i është dhënë pak më shumë mbështetje palës kosovare, që ka kërkuar të mos kushtëzohet zbatimi i njërës me tjetrën, është siguruar se të gjitha janë dakorduar të zbatohen pikat e marrëveshjes. E rëndësishme pasi Vuçiqi menjëherë bëri tentim për të ikur obligimit për pikën 4. Ai tha se nuk e di, pasi aneksi për implementim i përmban gjitha pikat”, ka theksuar ai.