24 vjet pas luftës, kërkohet profilizimi i gjyqtarëve për trajtimin e krimeve të 1999-s
Shenjat e luftës në Çikatovë të Vjetër, Drenas (Foto: Driton Paçarada)
Muajin e shkuar, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka adresuar kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që, krahas rritjes së numrit të stafit, ta bëjë edhe profilizimin e gjyqtarëve, me justifikimin e shtimit të lëndëve ndërlidhur me krimet luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Por Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e ka kualifikuar si të vonuar këtë kërkesë të Departamentit Special, ani se ka thënë që profilizimi i gjyqtarëve është i nevojshëm
24 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova nuk ka gjyqtarë të profilizuar për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, të kryera nga forcat serbe.
Njohësit e çështjeve të drejtësisë e kanë kualifikuar si domosdoshmëri specializimin e gjyqtarëve në këtë lëmi, ndërkaq kanë adresuar kritika tek institucionet përgjegjëse për mosshfrytëzimin e kompetencave dhe vonimin e procesit. Gjatë muajit të shkuar, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka adresuar kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që krahas rritjes së numrit të stafit, ta bëjë edhe profilizimin e gjyqtarëve, me justifikimin e shtimit të lëndëve ndërlidhur me krimet luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Por avokati Kadri Osaj ka shprehur kritika ndaj Departamentit Special, për të cilin ka thënë se me anë të riorganizimit ka mundur që t’i përcaktojë gjyqtarët që do të duhej të profilizoheshin enkas për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
“Nëse është interesi dhe kërkesa që këta gjyqtarë të specializohen për këtë lëmi dhe të merren vetëm me këtë çështje, atëherë kjo është një çështje teknike të cilën ka mundur vetë Departamenti Special që ta zgjidhë. Kjo për faktin se krimet e luftës janë kompetencë e Departamentit Special. Megjithatë, nëse ata nuk janë të sigurt të marrin një vendim të tillë, atëherë KGJK-ja duhet që të jetë më efikase”, ka thënë Osaj.
Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e ka kualifikuar si të vonuar këtë kërkesë të Departamentit Special, ani se ka thënë që profilizimi i gjyqtarëve është i nevojshëm. Sipas tij, institucionet e tjera është dashur që ta ndihmonin këtë departament me anë të një buxheti për trajnimin e gjyqtarëve dhe për shtimin e stafit.
“Normalisht që do të ishte e domosdoshme, por edhe e nevojshme, në mënyrë që gjyqtarët e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë të profilizohen edhe në trajtimin e krimeve të luftës. Në këtë drejtim është dashur që të bëhet shumë, shumë më herët”, ka deklaruar ai.
Nga KGJK-ja nuk i janë përgjigjur pyetjes së adresuar nga KOHA nëse do të merret parasysh kërkesa e Departamentit Special. E në këtë departament nuk kanë dhënë përgjigje se përse kjo kërkesë është adresuar kaq vonë në KGJK.
Juristët kanë shprehur kritika të shumta edhe lidhur me punën që është bërë në Departamentin Special, që kur ai ka marrë kompetencat për gjykimin e krimeve të luftës.
Osaj ka thënë se krahas mungesës së punës në institucionet e drejtësisë, ka pasur edhe mungesë të vullnetit politik për t’i zbardhur këto krime.
“Zvarritja e gjykimit të krimeve të luftës është mungesë dhe neglizhencë e institucioneve përkatëse, të cilat deri më tani nuk e kanë dhënë kontributin e tyre. Institucionet kyç që kanë dështuar në këtë drejtim janë Këshilli Gjyqësor dhe Departamenti Special”, ka theksuar ai.
Ndërkaq Makshama ka numëruar dy arsye përse Kosova ka pasur ngecje mbi dydekadëshe në gjykimin e krimeve të luftës.
“Edhe profesionalizimi i gjyqtarëve, por edhe mbështetja jo e mjaftueshme nga shteti kanë ndikuar që të mos ketë trajtim efektiv dhe efikas të rasteve të krimeve të luftës”, ka thënë ai.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë aktualisht ka 10 gjyqtarë, të cilët merren me trajtimin e krimeve të luftës, por edhe me rastet që ndërlidhen me vrasje dhe me korrupsion.