Besfort Krasniqi është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ai ka marrë më së shumti pikë nga komisioni vlerësues në konkursin e rihapur në tetor të vitit të shkuar. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN vetë Krasniqi, pasi me vendimin u njoftua të enjten edhe Këshilli Drejtues i UP-së.
Fillimisht ky konkurs ishte hapur në maj të 2022-s, mirëpo ishte pezulluar në fazën e intervistimit të kandidatëve, pasi Ministria e Punëve të Brendshme vlerësoi se konkursi do të duhej të ishte shpallur i jashtëm dhe jo i brendshëm.
Përveçse konkursi është shpallur i brendshëm edhe një sërë parregullsish janë hasur në këtë proces. Dokumenti për hapjen e konkursit nuk kishte nënshkrim e po ashtu i mungonte identiteti i personit përgjegjës për shpalljen e konkursit.
Pozita e Sekretarit pati mbetur me ushtrues detyre që nga tetori i vitit 2021, pasi me përfundimin e kontratës të Sekretarit të atëhershëm Esat Kelmendi, ish-rektori Naser Sahiti kërkoi që t’ia vazhdojë mandatin Esat Kelmendit për shkak “të arritjeve të tij në këtë pozitë”.
Mirëpo, prapë përmes një interpretimit të MPB-së, u konstatua se nuk ka bazë ligjore që mandati të vazhdohet me automatizëm.
“Bazuar në paragrafin 4 të nenit 2 të Ligjit nr 06L-114 për Zyrtarët Publik, të punësuarit në sektorin e arsimit kanë statusin e nëpunësit të shërbimeve publike. Në mungesë të akteve nënligjore për rekrutimin, klasifikimin, transferimin, vazhdimin e mandatit, sistemin dhe elementeve të tjera të marrëdhënies së punës, për nëpunësit e shërbimeve publike, duhet të zbatohen drejtpërdrejt dispozitat e Pjesës II respektivisht nenet 6,7,8 dhe 9 si dhe dispozitat e Pjesës V (nëpunësit e shërbimeve publike, respektivisht nenet prej 64 deri në 74 të Ligjit Nr.06l-112 për Zyrtarët Publik. Duke marr për bazë dispozitat e lartcekura, konstatojmë se me mbarimin e mandatit të nëpunësve të shërbimit publik nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit”, thuhej në përgjigjen e MPB-së në tetor.
Pas kësaj, Këshilli kishte vendosur që të mos ia vazhdojë mandatit Kelmendit e në vend të tij ishte emëruar si ushtrues detyre, Besfort Krasniqi. Ndërkaq Kelmendi pas largimit nga pozita e Sekretarit, qe emëruar drejtor i Zyrës Ligjore në UP.