Në Parlamentin Evropian është ngritur çështja e krimit të organizuar gjatë diskutimit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesi kroat i Parlamentit Evropian, Ladislav Ilcic, i ka dhënë mbështetje rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së, duke theksuar se e ka parasysh vullnetin që ka Kosova jo vetëm për anëtarësimin në BE por edhe dialogun me Serbinë, si dhe barrën historike që ka me Beogradin.
Duke theksuar disa herë se e mbështet plotësisht Kosovën, ai ka thënë se gjatë një vizite në Ekuador aty i është thënë nga politikanë se mafia më e fortë në Ekuador është shqiptare, kryesisht nga Kosova.
“Duam të jemi të suksesshëm për të arritur këtë objektivë të Kosovës për BE. Nëse duam ta bëjmë këtë duhet të flasim për disa çështje. Isha në Ekuador para 2 javësh me PE-në. Patëm takime atje dhe të gjithë bien dakord për një gjë, se në Ekuador mafia më e fortë është shqiptare dhe kryesisht nga Kosova thonë ata. Ashtu thanë ata, ndoshta nuk është e vërtetë. Thanë që kanë numrin më të madh të kriminelëve në lidhje me drogën”, ka thënë ai.
Ilcic e ka shprehur si shqetësim se nëse ata kriminelë të supozuar shqiptarë kthehen në Kosovë, do të shkaktojnë problem të madh për sigurinë.
“Nëse është e vërtetë dhe ne të gjithë e dimë se shqiptarët e duan familjen, vendin e tyre dhe vinë në Kosovë, por nëse krijojnë këto lloj sjelljesh ata do ta transmetojnë atë sjellja brenda Kosovës. Ju siguroj se do ndikojë thellësisht në politikën e sigurisë suaj. Nuk ishte vetëm qeveria, politikanët që e thanë këtë. Nëse kjo është e vërtetë ju duhet të lidheni me ta, të luftoni për këtë çështje dhe kundër këtij kriminaliteti. Sepse jam i sigurt se dikur do të ndikojë në sigurinë brenda vendit tuaj”.
E, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja, ka thënë se duhen fakte për ato që thuhen. Ai përmendur të dhënat nga Frontexi, duke shtuar se Kosova ka qëndruar në shtetet që e ka luftuar më së miri krimin e organizuar.
“E rëndësishme është të diskutojmë nëse ky është perceptim, nëse thjesht është thënë, ose ndoshta barriera në mendjen e tyre kundër Kosovës. Por, është e drejtë që këtë çështje ta shikojmë në mënyrën më të saktë. Së pari Kosova është e rrethuar nga vende ku ekziston Frontexi, pra ne jemi të rrethuar nga vende të BE-së. Pyetja që ngreh është, Greqia është shtet anëtar, Kroacia është, Mali i Zi ka ecur përpara, dhe gjithmonë ekziston ky dimensioni i Kosovës për mafien. Ne duhet të jemi të gatshëm të dëgjojmë shqetësimet tuaja, por kemi të drejtë të kërkojmë më shumë fakte. Duhet të shikojmë të dhënat që na ka dhënë Frontexi. Kosova sipas Frontexit është kampion, vjet dhe parvjet kemi konfiskuar 340kg llojesh narkotikë. Sipas të dhënave, kemi qenë disa nga ata që kanë dalë më mirë. Vjet kemi pasur problem me veriun dhe sipas policisë aty heroina, kokaina, origjinën e ka prej asaj zone. Nuk po them që nuk është, por jo kaq dominuese sa të ngreh këtë lloj shqetësimi për të qenë mafia”.
Për këtë çështje ka folur edhe eurodeputeti Lukas Mandl. Ai ka thënë se edhe më herët janë thënë gjëra në parlament për Kosovën, por që nuk ka pasur fakte për to.
Mandl ka thënë se Kosova po i jep grusht të fortë krimit brenda vendit.
“Historia është që shumë vite më parë një koleg nga Suedia që nuk është më në këtë parlament erdhi dhe tha se nuk do të kishte liri fetare në Kosovë, do të kishte vetëm persekutim të të krishterëve dhe u largua. Ne folëm me të më pas dhe i kërkuam prova. Në fakt, nuk kishte prova. Në çdo vend kemi probleme për të zgjidhur, unë kam qenë në Kosovë por s’bëhet fjalë për liritë fetare. Sot dëgjova këto që u tha, duke njohur Ilicin e di pikërisht se çfarë i kanë thënë në Ekuador, këtë ka dëgjuar dhe këtë na tha. Mendimi i parë që më erdhi ishte se ky është problem që u takon të zgjidhin autoritet ligjzbatuese në Ekuador, krimi i organizuar nuk ka kombësi. Ky shtet i ri po i jep një grusht të fortë krimit brenda vendit në shkallë ndërkombëtare, po merr përgjegjësitë e veta”.
Ilic është përgjigjur sërish duke thënë se kosovarët janë qytetarë të mirë dhe nuk mund të quhen mafiozë sepse nuk është e vërtetë. Ai arsyetoi se nëse ka diçka të vërtetë për Ekuadorin, Kosova duhet të marrë masa që të mos lejojë prishjen e sigurisë brenda vendit.
“Është fakt që kosovarët kanë qenë qytetarë të mirë, kanë kontribuar në të gjithë shoqërinë. Unë nuk thash se kosovarët janë mafiozë sepse ne e dimë se nuk është e vërtetë. Nuk e themi këtë për të sulmuar një njëri, lëre më një qeveri, një shtet. Doja të thosha se nëse kjo është e vërtetë mund të shkaktojë dëm për Kosovës sepse këta njerëz mund të kthehen në Kosovë dhe ta sjellin atë mënyrë jetese”.