Arbëri

Kosova drejt NATO-s në rrugën e kushtëzuar

 

Vulë e shtetësisë së Kosovës konsiderohet anëtarësimi në NATO, ndërsa problemi kryesor për këtë është politik – mosnjohja nga katër shtete anëtare. Ekspertët e sigurisë kanë thënë se duhet patjetër të ketë lëvizje drejt marrëveshjes finale me Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për pranim në organizatën e sigurisë. Sipas tyre, Kosova është e sigurt falë pranisë së KFOR-it dhe bashkëpunimit ushtarak me forcat perëndimore të sigurisë. Pushtimi rus i Ukrainës, sipas tyre, duhet të bëjë që Kosova ta shtojë bashkëpunimin me NATO-n. Për këtë pritet të shërbejë edhe stërvitja shumëkombëshe “Europe Defender 2023”

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do ta vuloste shtetësinë e Kosovës për shekujt e ardhshëm dhe do të shuante çdo ambicie të Serbisë për rikthim të armatosur në Kosovë, edhe pse ka shumë punë në këtë rrugë të gjatë, sipas Mentor Vrajollit, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Problematike në këtë proces shihen vendet mosnjohëse, që e bllokojnë procesin.

“Qëndrimi i Spanjës në këtë rast është pothuajse në të njëjtën linjë me atë rus dhe aspak në linjë me atë amerikan. Andaj, NATO-ja dhe BE-ja duhet t’i krijojnë mekanizmat që mundësojnë që vullneti i shumicës të mos cenohet nga shtete individuale. Kjo, për faktin se kjo mungesë e harmonizimit të qëndrimeve në mes të këtyre dy organizatave vetëm sa e fuqizon pozicionin e Rusisë dhe të Kinës si kundërshtarë kryesorë të Perëndimit”, ka deklaruar Vrajolli për KOHËN.