Shukrije Gashi, drejtoreshë e Organizatës për Menaxhimin e Konflikteve, deklaroi se janë dashur shumë vjet dhe ende ka nevoje që të luftohet shkelja e të drejtave të grave në Kosovë.
Ajo tha në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se gruaja kosovare ndër vite ka pasur rol të madh, e pesha e shoqërisë është bartur nga gruaja, që nga familja e deri te aspekti nacional.
“Gruaja ka bartur shumë procese edhe për faktin se është konsideruar se gratë mund të bëjnë më shumë për shkak të mungesës së qëndrimit në nivel të njëjtë, në periudha të ndryshme. Ndër vite, qoftë në të 80-tat e në të 90-tat... Por, ka pasur përpjekje nga ana e kundërt për të kundërshtuar e për të minimizuar këtë rol”, tha Gashi.
Sipas aktivistes, një pjesë e shoqërisë kosovare në vitet e 80-ta ka qenë shumë aktive në luftimin e shkeljeve, e sidomos burrat që kanë vuajtur në burgjet e ish-Jugosllavisë.
“Po flas për djemtë e viteve të 80-ta që kanë vuajtur gjatë burgjet dhe kanë shfaqur mirëkuptim e kanë insistuar që gratë të jenë pjesë e lëvizjeve për barazi e drejtësi”, shtoi ajo.