Arbëri

Me Ligjin e barnave, kompanitë detyrohen t’ua shesin produktet spitaleve me çmime si në rajon

Ka kaluar në Qeveri projektligji që do të mundësojë vendosjen çmimeve tavan për barnat. Kjo nismë ligjore do të vlejë edhe për operatorët me shumicë, por edhe për barnatoret private. Po ashtu ky ligj do t’i përcaktojë çmimet e barnave edhe në tenderët publikë. Pothuajse identik me këtë ligj në vitin 2019 ishte nxjerrë një Udhëzim Administrativ, por që nuk u zbatua asnjëherë

Për herë të dytë prej vitit 2019 do të bëhet përpjekje për stabilizimin e tregut farmaceutik.

Përderisa në vitin 2019 pati kaluar Udhëzimi Administrativ për vendosjen e çmimeve tavan për barna, por që nuk është zbatuar asnjëherë, të mërkurën në Qeverinë e Kosovës ka kaluar projektligji për këtë çështje.

Në rast se arrihet të kalohet ky ligj edhe në Kuvend, atëherë çmimet e barnave do të unifikohen edhe për sektorin privat e edhe për atë publik.

Projektligji ka ngjashmëri të madhe me Udhëzimin Administrativ, i cili nuk është zbatuar asnjëherë.

Është procedurë e veçantë se si përcaktohet çmimi i produkteve me shumicë dhe si i atyre me pakicë. Baza e metodologjisë së përcaktimit të çmimeve do të jenë çmimet referente të barnave të njëjta në shtetet e rajonit. Shumica e këtyre shteteve i kanë të publikuara çmimet referente, por nëse nuk e kanë në përdorim ndonjë bar, atëherë si referencë do të merren çmimet në shtetet e tjera të Evropës.

“Çmimi i produktit medicinal përcaktohet duke kalkuluar çmimin mesatar me shumicë të dy çmimeve më të ulëta të atij produkti nga shtetet referente”, thuhet në nenin 9, paragrafi 5 i projektligjit.

Këtij çmimi do t’i shtohet edhe marzha e fitimit që nuk mund të jetë me shumë se 7 për qind.

Projektligji parasheh krijimin e një komisioni, i cili do t’i analizojë çmimet e barnave që deklarohen nga operatorët ekonomikë e më pas do të krahasohen me çmimet e barnave të njëjta në shtetet e tjera.

Metodë e ngjashme do të përdoret edhe për çmimet e barnave që shitën në barnatore, por që për këto produkte do të ketë marzhë fitimi të shkallëzuar.

“Komisioni për çmimet e produkteve medicinale do të shtojë në çmimin me shumicë një marzhë fitimi me pakicë për qarkulluesit e licencuar me pakicë, si më poshtë: Çmimi me shumicë i produktit nga € 0 – 9.99 € - marzha prej 20%; Çmimi me shumicë i produktit € 10.0 - € 49.99 - marzha prej 15%; Çmimi me shumicë i produktit € 50.0 - € 99.99 - marzha prej 12%; Çmimi me shumicë i produktit mbi € 100.0 - marzha prej 10%”, thuhet në nenin 11, paragrafi i 4 i projektligjit.

Nëse kalon ky ligj, çmimet do të vendosën në banderolën e barit.

E kompanitë private që duan të marrin pjesë në tenderët publikë nuk mund t’i ofrojnë produktet me çmime më të larta se sa i kanë deklaruar. Deklarimi do të jetë i përvitshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, edhe gjatë mbledhjes së Qeverisë e edhe pas saj foli për rëndësinë e këtij projektligji.

“Ne duam të shkëputemi nga kjo praktikë e keqe dhe t’iu japim institucioneve dhe qytetarëve instrumentin më adekuat për t’u mbrojtur nga abuzimet dhe kostot e larta të shpenzimeve për produktet vitale, që janë barnat në këtë rast. Përmes përcaktimit të çmimeve të produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në vendin tonë, do të mundësohet që institucionet shëndetësore të sigurojnë barnat e nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet me kosto të përballueshme. Ligji do të mundësojë evitimin e çmimeve të ndryshme për produktet identike dhe do të pamundësojë abuzimet me çmime të barnave sikur deri tani”, ka thënë Vitia.

Të gjitha shtetet e Evropës ka kohë që e kanë të rregulluar çështjen e çmimit të barnave. Kaosi farmaceutik me çmime është i paadresuar vetëm në Kosovë dhe Bjellorusi.