Arbëri

MPB-ja premton rregullim të ajrimit dhe klimatizimit deri në fund të majit në Pallatin e Drejtësisë

Ministria e Punëve të Brendshme premton se deri në muajin maj do të rregullohen ventilimi, ajrimi dhe klimatizimi në Pallatin e Drejtësisë. Për shkak të këtyre problemeve shpesh ka pasur ndërprerje dhe anulim të gjykimeve. Në MPB thonë se pas muajit maj ky objekt nuk do të ketë më këso problemesh.

Sistemi i prishur i ajrimit në Pallatin e Drejtësisë ka shkaktuar anulimin e shumë seancave.

Shqyrtimet gjyqësore janë anuluar sivjet kur temperaturat ishin të ulëta. Mungesa e ajrimit në objektet e Pallatit ka bërë që të alivanosen edhe prokurorët në objektin C.

MPB-ja ka premtuar se deri në fund të majit të këtij viti do të përfundojnë të gjitha punimet për rregullim e ajrimit.

“Po, do të rregullohet sivjet. Në fund të muajit maj 2023. Problemet e ventilimit dhe klimtazimit trajtohen në kontinuitet përmes mirëmbajtjes teknike dhe O.E. i cili punon pandërprerë rreth sistemeve të tilla, por për shkak se kemi të bëjmë me sisteme të komplikuara, të njëjtat edhe marrin kohë për realizim dhe funksionalizim të tyre kur kanë defekte duke iu përmbajtur procedurave zyrtare të prokurimit deri në implementim dhe realizim të zgjidhjes. Me realizimin e kontratës së hapjes së dritareve, e cila është në implementim e sipër dhe pritet të përfundojë në fund të muajit maj 2023 në të gjitha objektet e PD , në ndërtesën “A “ është përfunduar dhe ndërtesa ‘C’ është duke u punuar”, ka thënë Nora Fetoshi, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nora Fetoshi, zëdhënëse e MPB-së, ka thënë, po ashtu, se lëshimi i kompresorëve të ajrit do të përfundojë deri më 5 prill.

“Departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave ka marrë gjithnjë masat për mirëmbajtje teknike dhe ka iniciuar projektin lidhur me – furnizimin, montimin dhe lëshimin në punë të kompresorëve të termopompës HP-2 dhe pjesëve përcjellëse të tij në Pallatin e Drejtësisë. Kontrata është nënshkruar më datën 30.12.2022. Inicimi, sipas planit të menaxhimit, është bërë më datën 5.1.2023 dhe afati për përmbushjen e detyrimeve është 90 ditë punë sipas kontratës së nënshkruar”, ka thënë Fetoshi.

Kompleksin e Pallatit të Drejtësisë e përbëjnë Gjykata Themelore e Prishtinës, ajo e Apelit, Supremja, Prokuroria Themelore dhe Prokuroria e Apelit, derisa në të trajtohen shumica e lëndëve gjyqësore të Kosovës.

Por probleme në këtë objekt ka pasur prej se ai është lëshuar në punë.