Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante për dakordimin e sotëm në Bruksel, por pala serbe ka refuzuar.
Në adresimin për media pas takimit në Bruksel, Kurti e ka konsideruar si dëm faktin që të hënën nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë që janë pajtuar.
“Sot patëm takim pozitiv konstruktiv në Bruksel, ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. “Kam thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, platformë solide për të ecur para. Do të ketë diskutime për planin e zbatimit, për çfarë edhe do të ketë diplomaci fluturuese siç i thonë, do të ketë takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i marsit, sërish me ndërmjetësimin e Z. Borrell e z. Lajçak. Falënderoj të dy për punën që kanë bërë deri tash, besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Kurti. Propozimi në preambulë ka 5 fjali e janë 10 nene. Është mirë sa më shumë qytetarët ta lexojnë vetë, por edhe profesionistët e dokumenteve të ndryshme, të marrëdhënieve ndërkombëtare e të aspekteve juridike, që të bëhet edhe ndonjë diskutim demokratik publik për këtë gjë. Plani i zbatimit do të jetë plan se si të përkthehen në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi i arritur sipas propozimit evropian".
Kurti është pyetur nga gazetarët për Asociacionin, por ka refuzuar të përgjigjet. Ai ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin evropian qysh sot, por pala serbe tha se refuzoi.
"Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje e katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që se bëri ndonëse u pajtua”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka falënderuar zyrtarët evropianë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për punën që kanë bërë deri tani, duke thënë se beson që tashmë gjenden në një rrugë njëkahore të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.