Oda e Mjekëve të Kosovës ka dhënë detaje për padinë e ngritur para dy vjetësh ndaj Qeverisë së Kosovës për shtesa nga pakoja emergjente dhe atë ndaj Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës lidhur me kompensimin e kujdestarive nga marrëdhënia e punës.
Këto padi janë ngritur në mars dhe qershor të vititi 2021, teksa është bërë e ditur se OMK-ja në intervale të ndryshme kohore ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë edhe kërkesat për trajtim me urgjencë.
“Lidhur me zhvillimin e procedurës kontestimore në të dyja rastet, kompetente tanimë është Gjykata Themelore në Prishtinë, meqenëse Oda e Mjekëve të Kosovës sipas autorizimeve ligjore ka konsumuar të gjitha veprimet juridike deri në këtë fazë të procedurës”, thuhet në njoftimin e lëshuar në Facebook nga kjo odë.
Oda e Mjekëve të Kosovës më tej ka thënë se do t’i informojë anëtarët e saj, varësisht nga zhvillimet që do të ndodhin lidhur me këto dy konteste gjyqësore.