Arbëri

Sarrazin: Plani evropian nuk i zgjidh të gjitha problemet, por hap shtigje të reja për Kosovën dhe Serbinë

Eksperti i Evropës Juglindore, Manuel Sarrazin, i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor ka folur për takimin e sotëm mes kryeministrit Albit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ai ka thënë se sheh në planin e paraqitur një shans për të dyja vendet.

"Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, shprehet Sarrazin.

Ai ka thënë se pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE.

Sipas tij, tani është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimet e paraqitura.

“Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare, thekson Sarrazin në bisedë me DW.

Pranimi i Planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, beson Sarrazin, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t'ia vlejë konstruktiviteti. Po ashtu ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. Do të ofroheshin shumë mundësi, që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj”.

Qëndrimi i Serbisë në Ukrainë i paqartë

Ai ka thënë se përmes një qëndrimi pozitiv ndaj propozimit evropian përfaqësuesit e Serbisë kanë shansin të tregojnë, që ata e kanë seriozisht kur thonë se “duan të zgjidhin në mënyrë konstruktive çështjen e Kosovës dhe të vazhdojnë me besueshmëri në rrugën e integrimit evropian”.

Kjo mund të krijojë një besim të ri, “që te politika serbe mund të mbështetesh”, thekson Sarrazin. Sipas tij, do të dërgohej edhe një sinjal drejt përfaqësuesve të ekonomisë, ndër të tjera në Gjermani, që duan të investojnë në Serbi.

“Për Serbinë kjo ka rëndësi sidomos para situatës, ku shumë nuk janë të sigurt, se në cilën anë qëndron Serbia në luftën e Ukrainës. Ne presim natyrisht edhe më tej që Serbia, ashtu si është fiksuar në marrëveshjen e stabilizim-asociimit të afrohet hap pas hapi edhe më tej me politikën e jashtme evropianë dhe në fund t'i bashkohet asaj”, ka thënë ai.

“BE-ja të flasë hapur me Serbinë”

Sipas tij, kush do të bashkohet me BE-në duhet të respektojë edhe vendimet evropiane.

“Ne na mungon çdo lloj përpjekjeje atje”, kritikon Sarrazin.

Ai apelon ndaj BE të flasë qartë e hapur me Serbinë. Të folurit hapur është më mirë se “mbulimi apo zbukurimi i hapave të vegjël, për të cilat do të ketë ujdi të dyanshme për të bërë më pas sikur çdo gjë është në rregull”.

Sarrazin vlerëson që Serbia në javët e fundit është përpjekur të forcojë marrëdhënien bilaterale me Ukrainën. Por nga ana tjetër në Serbi edhe më tej ka një propagandë të fortë proruse. Sarrazin është i mendimit se perspektiva e vuajtjes në Ukrainë dhe krimet që Rusia ka kryer në Ukrainë duhet të jenë më në fokus të tematizimit publik. "Ato janë krime lufte ruse, përpjekje imperialiste ruse për të kolonizuar Ukrainën, kjo kundrejt një populli sllav, kundrejt Ukrainës", shprehet Sarrazin.