Arbëri

Pacientet në Gjinekologji blejnë barna esenciale, ShSKUK-ja thotë se gjendja u përmirësua

Në Qendrën Klinike Universitare vazhdon të këtë mungesë të barnave e materialeve shpenzuese nga lista esenciale. Për mungesa e disa prej tyre nën kushte anonimiteti kanë treguar familjarët e pacienteve në Klinikën e Gjinekologjisë. E lidhur me to, ShSKUK-ja pas një jave pritjeje për përgjigje, ka thënë se kanë furnizim të qëndrueshëm.

Disa nga këtë familjarë që shkuan në Klinikë e Gjinekologjisë, vizitat te pacientët nuk i kishin të zakonshme.

Për gjatë dy orëve sa ka qëndruar ekipi i KOHËS në oborrin e Gjinekologjisë, disa nga ta u panë teksa bartnin ilaçe për pacientet brenda.

Ndonëse nuk pranuan të flisnin para kamerës, nën kushte anonimiteti kanë treguar se janë detyruar të blejnë barna si pasojë e mungesës në Klinikë.

“Më duhet të shkoj t’i marr barnat e të kthehem prapë. Maxipen për varrë edhe një tjetër që nuk e di saktë se çfarë janë. 6 euro e gjysmë një. Për një herë 13 euro. Për një herë në mëngjes. Tri herë në ditë, diku 40 euro brenda dite. Veç një lloj, mos të flasim për më shumë”, ka thënë një familjar në kushte anonimiteti.

“Goxha shtrenjtë, diku deri 200 euro po. Veç dje 40 euro kam paguar”, ka thënë një tjetër familjar.

Se vazhdimisht ka blerë barna ka treguar edhe një paciente e shtrirë në këtë klinikë.

“Ilaçe po më duhet të blej se shkaku që e kam edhe një infeksion tepër të rëndë, edhe ilaçet tepër shtrenjtë po më bëhen. Antibiotik edhe të tjera, po me emra nuk po i di. Dy që i bleva, 21 euro më janë bërë, gati përditë m’i ndërrojnë ilaçet”, ka thënë një paciente.

Vancomycin, Imipenem e disa lloje të tjera të antibiotikëve që janë pjesë e listës esenciale mungojnë në këtë Klinikë.

KOHA ka mësuar se ka mungesa edhe të gjilpërave, si dhe të NaCl të 100 ml.

Siç kanë treguar brenda kësaj klinike, për t’u shërbyer me NaCl të 100 ml detyrohen të përdorin tretësirën e 500 ml, duke çuar dëm një sasi të tij.

Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar pas një javë pritjeje për përgjigje, kanë thënë se kanë furnizim të qëndrueshëm me këto produkte.

“Aktualisht kemi furnizim të mirë me antibiotik në përjashtim të Imipenemit arsye se jemi në pritje te liferimit nga Operatori Ekonomik. Mungesa e gjilpërave ka qenë në një interval kohor një javor, sepse jemi furnizuar pjesërisht nga operatori, ndërsa tani kemi furnizim të qëndrueshëm. Aktualisht kemi furnizim të mirë me NaCl 0.9% 100 ml. Furnizimi me barna dhe material shpenzues është duke u bërë në vazhdimësi dhe liferimet po bëhen në baza ditore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se nuk kanë mungesë të barnave.

“Mungesë të barnave nuk kemi, kohë pas kohe ndodh mungesë disaorëshe gjer sa të furnizohemi prej barnatores qendrore. Mund të them se mungesa ndihet më shumë me penj kirurgjikë, në disa llojeve të penjve që ne kemi nevojë, për shkak të numrit të madh të operacioneve urgjente, ku nuk mundemi të planifikojmë saktë sa do të jetë numri i operacioneve brenda 24 orëve. Ndonjëherë edhe për shkak mungesës së tyre në barnatoren qendrore për arsye të ndryshme, për më shumë informata, mundeni të drejtoheni në Barnatoren Qendrore, që të keni informata më të sakta”, ka thënë drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.

E zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka pranuar se gjendja me furnizimin me barna nuk është e mirë.

“Tashmë jemi edhe dëshmitarë që ky vit është si asnjëherë më parë me një buxhet goxha të mangët për furnizimin nga lista esenciale e barnave për material shpenzues mjekësor dhe barna”, ka thënë Berisha.

Nga 296 milionë euro të ndara në vitin 2023 për shëndetësi, 60 milionë janë dedikuar për barna esenciale. Për mungesë të theksuar të barnave, KOHA ka raportuar që nga fillimi i këtij viti.