Kryeminsitrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se dita e hënë nuk do të jetë fare e lehtë, ndërsa i ka dhënë përkrahje presidentit serb Aleksandar Vuçiq para udhëtimit në Bruksel.
Të hënën do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.
“Është e sigurt që nesër nuk do të jetë aspak një ditë e lehtë, por unë jam me zemër e shpirt me presidentin Aleksandar Vuçiq. Ata që dhanë atë që askush nuk u kërkoi derisa ishin në pushtet, realisht nuk duhet t’i kërkojnë asgjë presidentit Vuçiq. Ata tash, derisa presidenti Vuçiq po lufton për interesat tona kombëtare dhe për paqen dhe stabilitetit, duhet të heshtin. Nuk kanë të drejtë për t’i thënë asgjë presidentit të Republikës që luftoi për të rikuperuar çështjen e Kosovës e M., që sërish të jetë në rend të ditës”, ka thënë Bërnabiq, raporton “B92”.
Bërnabiq ka thënë se “Vuçiq do të jetë në gjendje të ruajë interesant kombëtare të Republikës së Serbisë”.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë në krah të Aleksandar Vuçiqit, të tregojmë se jemi të bashkuar dhe të vazhdojmë të luftojmë për interesat tona kombëtare. T’i besojmë urtësisë dhe aftësive të tij politike dhe shtetërore, dhe jam e sigurt se shumica e popullit është prapa presidentit Vuçiq para takimit të nesërm”, ka thënë Bërnabiq.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.