Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pas bisedës telefonike me kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se SHBA-ja mbështet takim që afirmon përkushtimin e Kosovës dhe Serbisë ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.
“SHBA-ja mbështet një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Chollet i ka thënë Kurtit se tani është koha të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“I thash se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asoacionit”.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, mbrëmë ka potencuar se Cholletit i ka konfirmuar qëndrimin e tij për propozimin evropian, si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Chollet u njoftua nga kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas”, është bërë e ditur në komunikatë.
Të hënën në Bruksel do të zhvillohet takimi i kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.